Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim serioz lidhur me procesin e zgjedhjes së znj. Xhihan Ahmed si anëtare e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, proces i cili, sipas të dhënave të bëra publike, shoqërohet me dyshime të bazuara për parregullsi procedurale dhe mosplotësim të kushteve ligjore.
Nga informacionet dhe dokumentet e analizuara rezulton se kandidatja nuk ka paraqitur dëshmi të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve thelbësore të parashikuara me ligj dhe me thirrjen publike, përfshirë:
• përvojën e përgjithshme profesionale të kërkuar për këtë funksion,
• minimum 7 vite përvojë në fushën e të drejtave të njeriut,
• si dhe minimum 5 vite përvojë në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Po ashtu, shqetësim i veçantë mbetet edhe çështja e neutralitetit politik. Pavarësisht deklaratës me shkrim për mosangazhim partiak, ekzistojnë informacione publike dhe të verifikueshme që e lidhin kandidaten me struktura të një partie politike, gjë që bie ndesh drejtpërdrejt me parimin e paanshmërisë politike, parim kyç për funksionimin e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi si organ i pavarur.
Aleanca për Shqiptarët kërkon:
• verifikim të plotë dhe të pavarur të gjithë procedurës së zgjedhjes,
• kontroll të detajuar të përmbushjes së kushteve ligjore dhe materiale,
• verifikim të saktësisë së deklaratës për neutralitet politik,
• dhe, nëse konstatohen parregullsi, anulim të vendimit për zgjedhje.
Institucionet e pavarura nuk mund dhe nuk duhet të jenë rezultat i pazareve politike apo i standardeve të dyfishta. Çdo devijim nga ligji dëmton besimin e qytetarëve dhe cenon drejtpërdrejt funksionimin e shtetit të së drejtës.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ndjekë këtë çështje dhe do të insistojë në transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.
Aleanca për Shqiptarët
