Nesër me fillim nga ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstituive, ku pritet të votohet sërish për propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetare Kuvendi. VV s’po heq dorë emri i Albulena Haxhiut, e partitë tjera po e kundërshtojnë zgjedhjen e saj. Deri tash, në secilin votim ka marrë vetëm 57 vota.
Vetë Haxhiu ka thënë se nuk është optimiste se do të ketë ndryshim të situatës as nesër.Sipas saj, s’ka vullnet për konstituimin e Kuvendit.
“Nuk jam shumë optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e nesërme, pasi qëndrimet e subjekteve opozitare janë bërë të qarta publikisht. Për bindjen time, mungon vullneti për të konstituar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, ka thënë Haxhiu për Telegrafin.
Haxhiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i japin të drejtë vetëm partisë fituese të zgjedhjeve që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Sipas saj, opozita po e refuzon jo vetëm kandidaturën e saj, por në disa raste edhe çdo kandidat tjetër të mundshëm.
“Në këtë situatë, LDK-ja ka deklaruar se nuk do ta mbështesë as Albulena Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër, ndërsa dy subjekte tjera kanë kërkesa për emra të tjerë”, përfundoi Haxhiu.
Ndryshe, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në hapjen e zyrave të reja të Postës së Kosovës në Leposaviq, Kurti duke qeshur ka thënë se ndoshta do t’u dërgojë partive nga një letër me kërkesën që ta votojnë Haxhiun.
“Nashta me ua çu ka një letër edhe partive opozitare “votone Albulenën”, ka thënë Kurti duke qeshur.
Seanca nesër do të vazhdojë në orën 10:00. Nuk dihet nëse VV i ka siguruar numrat për Haxhiut. Në të gjitha votimet e deritashme, ajo ka marrë vetëm 57 vota nga 61 sa nevojiten.
Partitë qe disa herë i kanë kërkuar VV’së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë. VV po instiston në emrin e Haxhiut.