12.3 C
Tetovo
E premte, 18 Tetor, 2024
BallinaLajmeAlbin Kurti uron Shqipërinë: Nga hapja e kapitullit të parë për anëtarësim...

Albin Kurti uron Shqipërinë: Nga hapja e kapitullit të parë për anëtarësim në BE përfiton edhe Kosova

Kryeministri Albin Kurti e ka uruar Shqipërinë për hapjen e kapitullit të parë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se i dëshiron rrugëtim pa pengesa dhe progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave.

“Me vendimin për hapjen e kapitujve të parë për anëtarësim në familjen evropiane, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nga sot filloi një kapitull të ri e vendimtar. I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se nga ky rrugëtim do të përfitojë edhe Kosova.

“Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona. Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai. 

Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka uruar Shqipërinë për këtë hap, duke thënë se përpjekjet dhe aspiratat e saj morën kthesë të fuqishme e pozitive të martën me vendimin për hapjen e kapitullit të parë për anëtarësim në familjen evropiane.

“Kosova i gëzohet kësaj arritjeje të Shqipërisë, gjersa bashkërisht orientim kryesor e shumëvjeçar e kemi anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Procesi i përshpejtuar dhe i bazuar në meritokraci, është rruga përpara për të gjithë rajonin për t’u integruar në Bashkimin Evropian, nën vlera, standarde, parime dhe orientime të qarta demokratike”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e vlerësoi si historik këtë moment.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments