Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se në krye të grupit të Novi Sadit ka organizuar sulmin në Banjskë të Zveçanit. Për grupin e Vuçeviqit, Kurti ka kërkuar gjykim nga BE-ja e SHBA-ja. Për hetimin ndërkombëtar të sulmit në Banjskë, të shtunën, nuk ka pranuar të flas emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Dy ditë pasi në Kosovë takoi pesëshen euro-amerikane, kryeministri Albin Kurti, ua bëri një pyetje Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka ngritur çështjen e formimit të një Gjykate Speciale për të gjykuar grupin e Novi Sadit.
“Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj. Mirëpo, Kosova nuk ka juridiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe SHBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti duke folur për sulmin në Banjskë, ka thënë se ai është i organizuar nga Klani i Novi Sadit, në krye të të cilit ndodhet ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
“Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb u ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë”, ka shkruar ai.
Akuzat e Kurtit drejtuar ministrit serb i kanë mohuar në Serbi. Përmes një reagimi, nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, kanë thënë se deklaratat e tilla të Kurtit për interes kanë shkaktimin e kaosit e dhunës.
“Theksojmë se në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë, është e një rëndësie vendimtare që institucionet në Prishtinë të detyrohen që menjëherë të ndalojnë terrorin e përditshëm ndaj popullatës serbe, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe të formojnë menjëherë Asociacionin e Komunave Serbe. Gënjeshtrat e pacipa, fyerjet dhe shpifjet që Kurti nxjerr çdo ditë si pjesë e një fushate të ndyrë mediatike kundër shtetit të Serbisë dhe lidershipit të saj, zbulojnë plotësisht synimet e tij për të shkatërruar çdo mundësi për qetësimin e tensioneve”, thuhet në reagim.
E gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.
Nebojsha Zellenoviq, bashkëkryetar i partisë opozitare “Së bashku”, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare tha se e pyet Vulinin e Vuçiqin se si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiqi në Banjskë me persona të armatosur.
Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar që më 3 tetor të mbahet një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe roli i Millan Radoiçiq, për ngjarjet në Banjksë.