Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar të gjithë miqtë dhe partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke e avancuar statusin e saj, nga anëtar vëzhgues në të asociuar. Kurti ka thënë se këta miq përherë i kanë qëndruar në krah Kosovës.
Kurti në rrjetin social Facebook, thotë se sot me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës e ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
“Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”, shkruan kryeministri.
Ai me këtë rast uron të gjithë qytetarët e Kosovës dhe partnerët për këtë votim dhe arritje.
“Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, shkruan Kurti.