Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe Qeveria në detyrë do të respektojnë vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masën e ndalimit të lëvizjes. Kurti në një emision televiziv, tha se është i befasuar me vendimin e Kushtetueses, por vlerësoi edhe mirëkuptimin e saj, siç e quajti ai shtyrjen e afatit deri më 13 prill për shfuqizim të kësaj mase të marrë nga Qeveria për shkak të përhapjes së koronavirusit. “Unë jam befasuar me vendimin, por do ta respektojmë. Po të thuhej që aktgjykimi do të zbatohej menjëherë, atëherë do të na bënte shumë dëm. Duket se ka qenë një vendim në siklet e sipër i Gjykatës Kushtetuese. Ajo na ka dhënë të drejtë se nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme. Sidoqoftë ne do ta respektojmë dhe jemi me fat që ka dhënë afat deri më 13 prill. Ishte njëlloj pragmatizimi jodogmatik i Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti. Ai shtoi se deri më 13 prill, Qeveria do të nxjerr një vendim të ri, me procedurë tjetërfare./koha.net