Maqedonia kampione me çmime të larta të produkteve ushqimore. Edhe kur shteti ndërmerr masa në dobi të qytetarëve, privati kundërvihet me bojkot të prodhimit për tu mos u cenuar fitimi i tyre. Por, as masat e shtetit nuk janë të mjaftueshme për standardin e jetesës së qytetarëve. Madje, duke krahasuar me shtetet e rajonit, del se buka në Maqedoni është ndër më të shtrenjtat, duke përfshirë marzhën TVSH dhe ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 den. Në Kosovë gjatë gjithë krizës buka 500gr është 50 cent. Kryeministri Albin Kurti për Alsat tha se Qeveria u dha para qytetarëve.
“Ne nuk lejojmë asnjëherë kurdisje të çmimeve në Kosovë. Inspektorati ynë ndërhynë, bën mbikëqyrje të konkurrencës dhe në të njëjtën kohë ndëshkon të gjithë ata, të cilët do të mund të ngisnin çmimet në kurriz të konsumatorit për përfitime të paligjshme e të shpejta. Kjo ka ndihmuar që rritja jonë ekonomike t’ju shpërndahet si mbështetje sociale popullit në përgjithësi. Kemi ndihmuar studentët, pensionistët, gratë lehona, fëmijët, por kemi ndihmuar edhe punëtorët në sektorin privat dhe në atë publik”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Ndërkaq, në Mal të Zi për ti bërë ballë çmimeve të larta që kanë thelluar inflacionin, kanë rritur pagat. Kryeministri Dritan Abazoviç, tha se pagën minimale e kanë rritur në 450 euro ndërsa mesataren 700 euro, megjithëse atje një bukë është 75 cent, me standardin e jetesës së tyre i bie që e paguajnë veç 25 denarë.
“Ka qenë 240 euro tani e kemi bërë 450 euro pagën minimale, ne jemi munduar si Qeveri pikësëpari ti ndihmojmë kategoritë e popullit të cilat janë në gjendje të rëndë sociale dhe në gjendje të vështirë ekonomike. Pastaj edhe pagat tjera në disa sektorë janë rritur në sektorin publik, kemi zbutur krizën.
Ne jemi më së të kënaqur si e kemi menaxhuar krizën, edhe nuk e kemi rritur çmimin e rrymës dmth jemi ndër pak shtetet që nuk kanë bë asnjë korrigjim pavarësisht se ka qenë një vit me krizë energjetike”, u shpreh Dritan Abazoviç, Kryeministër i Malit të Zi.
Duke iu referuar masave anti-krizë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, vendet përkatëse kanë përdorur masa të ndryshme që mos të cenohen çmimet e ushqimeve bazë. Në Serbi një bukë kushton 42 cent, në Bosnje Hercegovinë 79 cent, në Shqipëri 51 cent. /Alsat.mk