Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj 36 personave pas hetimit “Sindromi” të nisur në prill të këtij viti, njoftoi Prokuroria. Ata akuzohen se si pjesë e dy grupeve kriminale kanë ndërmjetësuar dhe mundësuar përfitimin e paligjshëm të së drejtës për ndihmë nga person tjetër dhe pension invaliditeti, për çka kanë kërkuar pagesa nga 150 deri në 5.000 euro.Sipas aktakuzës, grupet kriminale kanë vepruar gjatë vitit 2023 dhe në fillim të vitit 2024. Ndër të akuzuarit ka mjekë, një avokat dhe zyrtarë nga disa institucione publike, të cilët kanë shfrytëzuar funksionet e tyre për të lëshuar vlerësime mjekësore dhe vendime në favor të aplikuesve, duke i anashkaluar procedurat ligjore.Dhjetë persona janë akuzuar për organizim kriminal, dhënie ryshfeti dhe marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm. Pesë të tjerë për organizim kriminal dhe marrje ryshfeti, ndërsa 19 të mbetur janë akuzuar për dhënie ryshfeti dhe shpërblim për ndikim të paligjshëm.
Deri më tani, 13 prej të akuzuarve kanë bërë marrëveshje me Prokurorinë, mbi bazën e të cilave Gjykata Themelore Penale Shkup ka shpallur aktgjykime. E akuzuara kryesore është dënuar me tre vite e gjashtë muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar edhe 15.000 euro të fituara në mënyrë të paligjshme.
Të tjerët që kanë pranuar marrëveshje janë dënuar me burg me kusht nga një deri në dy vjet, me afat prove nga tre deri në pesë vjet. Një pjesë prej tyre janë urdhëruar të kthejnë përfitimet materiale të marra me vepra penale.
Me dorëzimin e aktakuzës, prokurori ka kërkuar nga gjykata që të vazhdojë masat e sigurimit për të akuzuarit, përfshirë paraburgim për pesë persona, arrest shtëpiak për pesë të tjerë dhe masa kujdesi për të mbeturit.