23.3 C
Tetovo
E diel, 6 Korrik, 2025
BallinaLajmeAksioni për lirimin e hapësirave publike,pas Vlorës edhe në Tiranë, ministri Hoxha...

Aksioni për lirimin e hapësirave publike,pas Vlorës edhe në Tiranë, ministri Hoxha inspektim në terren pas ultimatumit të Ramës: Të shmanget ndërhyrja me forcë

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka zhvilluar sot një inspektim në disa nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, në kuadër të një aksioni të gjerë për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte private.

Ky operacion vjen pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili u bëri thirrje bizneseve që të lirojnë vullnetarisht trotuaret, sheshet dhe çdo sipërfaqe publike të zënë, për të shmangur ndërhyrjen me forcë nga autoritetet.

Gjatë inspektimeve në terren, Hoxha ishte i shoqëruar nga drejtues të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Ai vizitoi konkretisht zonat e “Zogut të Parë”, “Pazarin e Ri”, hapësirat pas Muzeut Kombëtar dhe kompleksin pranë zonës së “21 Dhjetorit”.

“Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar. Mirënjohje për të gjitha strukturat që, pavarësisht temperaturave të larta, janë në terren dhe për qytetarët që mbështesin përpjekjet për rregull dhe bashkëjetesë,” u shpreh ministri Hoxha në një deklaratë për mediat.

Ai theksoi se ky aksion është pjesë e një nisme të koordinuar për të rikthyer hapësirat publike në funksion të qytetarëve dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës urbane në Tiranë. Ministri nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi me komunitetin dhe subjektet private është thelbësor për suksesin e këtij procesi.

Postimi i ministrit te Brendshem

Sot në Tiranë, së bashku me drejtuesit e IMT-së, Policisë Bashkiake, strukturat e tyre dhe Policinë e Shtetit ishim në disa zona kyçe dhe të populluara në kryeqytet, si Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe një kompleks pranë zonës së nohur si ’21 Dhjetori’. Synimi është i qartë, rikthimi i trotuareve, shesheve dhe hapësirave publike, jo vetëm në qendër por kudo, tek dhe për qytetarët.

Asnjë subjekt nuk ka të drejtë të pushtojë hapësira në kurriz të komunitetit. Policia e Shtetit do të vijojë të mbështesë me vendosmëri çdo institucion për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Apeli im shkon për çdo subjekt në shkelje, që të lirojë shpejt e vullnetarisht hapësirat e zëna, duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë. Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar.

Falënderim për strukturat, që pavarësisht temperaturave të larta janë në terren, e mbi të gjitha për qytetarët që mbështesin këtë përpjekje për rregull e bashkëjetesë!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments