Sot jemi këtu për të ngritur një çështje serioze, që lidhet jo vetëm me zgjedhjet lokale në Çair, por me standardet e demokracisë dhe barazisë në garën politike në vendin tonë. Kështu e ka nis fjalimin para gazetarëve Naim Ramadani nga Aleanca Kombëtare për Integrim, ndërsa ka folur për mosdorëheqjen e Izet Mexhitit nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe ministrit derisa kandidoi për kryetar të Çairit.
“Izet Mexhiti, aktualisht zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe ministër i Ekologjisë, është njëkohësisht edhe kandidat për kryetar të Komunës së Çairit. Dhe ja ku qëndron problemi thelbësor: megjithëse ka shpallur kandidaturën e tij, Mexhiti nuk ka dhënë dorëheqje nga dy funksionet e larta shtetërore që mban. Kjo është një sjellje e paprecedentë, një konflikt i pastër interesi, por mbi të gjitha – një padrejtësi flagrante ndaj qytetarëve të Çairit dhe kandidatëve të tjerë. Sepse ai po e përdor pushtetin qeveritar, resurset shtetërore dhe autoritetin publik për të siguruar avantazh në një garë që duhet të ishte e barabartë për të gjithë”, ka thënë Ramadani, ndërsa ka ngritur disa pyetje.
“Pyetjet që ngrihen janë të thjeshta: Pse Izet Mexhiti nuk jep dorëheqje? A ka frikë nga humbja e zgjedhjeve të 19 tetorit? A nuk i beson forcës së votës së qytetarëve të Çairit? Apo ka vendosur që të mbajë një ‘plan B’ – që nëse humb këtu, të vazhdojë të rrijë në karrigen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit?”, ka pyetur Ramadani.
Kjo është fyese për qytetarët, është fyese për institucionet dhe është një shkelje e parimeve të barazisë politike, ka vijuar ai.
“Sepse Çairi nuk ka nevojë për një kandidat që garon me privilegjet e qeverisë, por për një garë të ndershme, të hapur dhe transparente. Kërkesa jonë është e qartë dhe e prerë: Aleanca Kombëtare për Integrim kërkon dorëheqje të menjëhershme të Izet Mexhitit nga të dy postet qeveritare. Nëse vërtet dëshiron të shërbejë Çairit, le të dalë para qytetarëve vetëm si kandidat, pa pushtet qeveritar në xhep dhe pa resurse shtetërore të vëna në shërbim të fushatës së tij”.
Çairi, sipas tij, nuk ka nevojë për kandidat që fshihet pas qeverisë. “Çairi ka nevojë për vizion, për sinqeritet dhe për guxim. Prandaj i themi qartë Mexhitit: Zgjidh – ose ministër, ose kandidat. Të dyja nuk shkojnë bashkë! Çdo vonesë, çdo justifikim, është vetëm dëshmi e frikës së tij nga verdikti i 19 tetorit. Çairi nuk ka nevojë për kandidat që garon me privilegje të pushtetit. Çairi ka nevojë për vizion, për zhvillim, për sinqeritet dhe për standarde të reja politike”, tha Ramadani dhe shtoi se “e ardhmja e Çairit nuk mund të ndërtohet mbi kalkulime të frikës dhe privilegje personale”.