Konkursi për drejtorin e Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) është bërë mollë sherri për fraksionin e ASH-së që mbeti pjesë e koalicionit VLEN.
Konkursi është dashur të mbyllej sot, por është shtyrë për të hënën, mëson TV21, e kjo vetëm për arsye të mosmarrëveshjeve dhe madje edhe deri në kërcënime për lëshim të koalicionit.
Krejt kjo për shkak se tre figura po e pretendojnë këtë post për njerëzit e tyre. Pretendentët janë Arben Fetai që aktualisht është zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë, Azir Aliu ministër i shëndetësisë dhe Mimoza Musa deputete. Të tre duan që emri që kanë propozuar të bëhet drejtor në këtë Agjenci, madje, siç thanë burime të TV21, deputetja Musa edhe ka kërcënuar se do të dalë nga koalicioni VLEN nëse nuk kalon emri i propozuar prej saj.
Përndryshe gjithsej 9 kandidatë kanë aplikuar për këtë post.
Procesi po ndiqet me interes të shtuar nga publiku, duke pasur parasysh se pozita e drejtorit të AEK është me rëndësi strategjike. Agjencia ka rol të rëndësishëm në rregullimin e tregut të telekomunikacionit, mbikëqyrjen e operatorëve dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme, si dhe në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe kompanive.
Sipas informacioneve të siguruara nga TV21, mes të paraqiturve ka edhe kandidatë që nuk i plotësojnë të gjitha kushtet e parashikuara. Po ashtu, në opinion rikthehet çështja e integritetit të procedurës, duke pasur parasysh se në konkursin e kaluar, i cili u anulua, disa media publikuan informacione për kandidatë me certifikata të falsifikuara për njohjen e gjuhëve të huaja./tv21.tv
