Një përgjigje të shkurtë sqaruese disa komentuesve në lidhje me shkrimin tim:
“Rreth idesë për kryeministër shqiptar të Maqedonisë Veriore”
Miq të nderuar, lexues dhe komentues, ndër ne shqiptarët nuk qëndron problemi te mungesa e njohurive (informacionit), mosdalja zot nga askush, por është e drejtë e qytetarëve të vendosin për fatin e tyre, nëse duan të ardhme më të mirë apo duan të mbeten në këtë qorrsokak ku ndodhen sot. Një individi apo një populli mund t’i marrësh gjithçka, me mashtrim apo me dhunë, por asgjë nuk mund t’i japësh Ipa vullnetin dhe dëshirën e tij. Populli ynë nuk vuan nga padituria, por nga inatet dhe lakmia. Ish-Jugosllavia ka qenë federatë e përbashkët edhe e ish-Republikës së Maqedonisë dhe rrjedhimisht nga kjo, edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë pasur kryetar shteti shqiptar të asaj federate të përbashkët (jo vetëm një, por disa), ndërsa populli shqiptar nën ish-Jugosllavi e ka konsideruar veten popull jo i lirë, po i okupuar e robëruar. Sikur shqiptarëve në Maqedoni t’u “jepen” të tri pozitat udhëheqëse së bashku, kryetari i Parlamentit, Kryetari i Qeverisë dhe Kryetari i shtetit, nuk e ndryshojë pozitën e popullit shqiptar në këtë shtet, statusin juridik-kushtetues të tyre, përderisa me Kushtetutë dhe ligje shqiptarët ende trajtohen si pakicë kombëtare, të drejtat e të cilëve varen nga numri dhe përqindja e tyre, sa dhe si i numëron shteti e jo sa janë realisht. Prandaj, nga pozitat udhëheqëse të disa individëve nuk kanë se çfarë përfitojnë shqiptarët, përveç mashtrimit të vetvetes. A mos u ndryshua Kushtetuta e Maqedonisë Veriore në dobi të shqiptarëve pse ka qenë kryetari i Kuvendit me përkatësi etnike shqiptare? Jo! Shqiptarët kanë nevojë për një realitet që duhet ta përjetojnë, jo për ëndrra që mund t’u sjellim eufori të çastit.
Në vazhdim mund ta rilexoni një pjesë nga shkrimi im, nga viti 2017, pa u lodhur me dhjetëra shkrime të tjera ku trojtohet e njëjta temë:
DËSHTIMET POLITIKE TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI
“Suksesi dhe mossuksesi i partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, në bazë të normave demokratike, duhet të matet me nivelin e rrjedhimit të dobishëm (efektit) të votës së qytetarëve shqiptarë.
Nëse në këtë shtet shqiptarët përbëjnë shumicë të konsiderueshme prej së paku 35% – 42%, ndërsa përfaqësimi i tyre në Parlament aktualisht është 16,6% dhe në institucionet shtetërore dhe administratë gjithashtu është tejet i ulët, jo më tepër se 17-19%, suksesi i derisotëm i këtyre partive politike vlerësohet si tepër i dobët, pavarësisht nga numri i ministrave, zëvendësministrave dhe funksioneve të larta që mund të kenë shqiptarët në pushtetin e këtij shteti.” (9 maj 2017)
* * *
(8.VI.2020)
Abdulla Mehmeti