Reflekse të ditës
Faktori politik shqiptar në Maqedoninë Veriore, as i pozitës aktuale, që pretendon ta sjell ndryshimin përmes konceptit të VMRO-së mbi shtetin, as i opozitës, që pretendon ta ndryshojë gjendjen e shqiptarëve pas qëndrimit në pushtet mbi 22 vjet me radhë, përmes ndarjes së re territoriale-administrative dhe regjionalizimit, përderisa në vazhdimësi u kanë shërbyer planeve armiqësore për përgjysmimin e numrit të shqiptarëve dhe boshatisjes së trojeve etnike në këtë shtet.
Vendosja e shqiptarëve para alternativës: nga FRIKA E GJARPRIT (korrupsioni dhe krimi i organizuar i pushtetit të mëparshëm) t’i thonë GOMARIT DAJË (kinse për shpëtimin e vendit nga VMRO-ja me borxhin prej 1 miliardë dollarësh nga paratë e oligarkëve Rusë në bankat Kineze, përmes sivëllait të Putinit, kryeministrit hungarez Orban), është plani më i rrezikshëm që ia lidh duart faktorit politik shqiptar në Maqedoni edhe për disa dekada të ardhshme.
Dhe, mos harroni se, nuk vendosin për luftën ushtarët në vijën e frontit, por krerët e shteteve përmes marrëveshjeve të fshehta, edhe kundër interesave të vendit dhe popullit të tyre.
Historia është mësuesja e jetës, jo propaganda e pushtetit dhe e partive politike!
(28. 7. 2024)
* * *
KLASA POLITIKE VENDËSE DHE MISIONI RUSOMADH NË TROJET ETNIKE SHQIPTARE
Nga 8 milion banorë shqiptarë, sa ka pasur deri në vitin 1990 në trojet etnike shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku i Pazarit të Ri, në tri dekadat e fundit, klasa politike shqiptare, pa platformë kombëtare dhe pa vizion për mbrojtjen e qenies kombëtare, ka lejuar (mundësuar) ta braktisin vendin afër gjysma e popullsisë shqiptare.
Vetëm nga Republika e Maqedonisë, sipas të dhënave janë larguar mbi 800 mijë banorë vendës, prej të cilëve pjesa dërmuese e tyre janë shqiptarë.
A ka shërbim më të keq ndaj vendit dhe kombit se ky?!
(27. 7. 2024)