25.5 C
Tetovo
E hënë, 1 Korrik, 2024
BallinaOpinionAkademik Prof.dr Abdulla Mehmeti / Reflekse-PËR ATA QË GOZHDAVE VARIN GJUHËN E...

Akademik Prof.dr Abdulla Mehmeti / Reflekse-PËR ATA QË GOZHDAVE VARIN GJUHËN E DHUNËS DHE ZOTIN E HUAJ*

Në vend të hyrjes, për fatin kolektiv të shqiptarëve në Maqedoni, asgjë nuk i përshtatet këtij vështrimi më mirë se poezia e Ali Podrimjes

VAJTOJCAT E REKËS

(Josif Bagerit)

Kur vjen e diela

oh kur vjen e diela

në të zeza veshet Reka

Gozhdave varin

Gjuhën e Dhunës

dhe Zotin e huaj

Nga Mali i Thatë

në Malin e Shenjtë

fluturon Qyqja

Kur vjen e diela

oh kur vjen e diela

e diela kur vjen moreee

Vajtojcat e Rekës

zbresin te varret

e qajnë shqip

(Gostivar, 17.03.1993)

Unë nuk jam prej atyre që mund të më lexojnë e kuptojnë të tjerët, ashtu diç ua thotë mendja e tyre, e mbushur me helm propagande politike. Nuk jam as prej atyre që mund t’u hyjë në hak atyre që djersiten në betejat e rënda për të ardhur në pushtet, apo tyre që duhet ta vuajnë largimin nga pushteti. E dua të vërtetën dhe luftoj për atë, me dëshirën që të më kuptojnë ata që kanë sy e vesh. Kohët ndryshojë dhe bota përparon, ndryshojnë edhe rrethanat politike e shoqërore, pse duhet të mos ndryshojë edhe gjendja e popullit që i takoj unë dhe i takoni edhe ju? Shumë herë kam parashtruar publikisht pyetje të kësaj natyre për të kuptuar e reflektuar faktori politik shqiptar në Maqedoninë Veriore, dhe jo vetëm. Në vend të përgjigjes kam fituar dënimin, dëme personale dhe ngushtimin e hapësirë për shprehjen e lirë të mendimit dhe përhapjen e së vërtetës. Kam humbur shumë miq, nga ata që kanë jetuar dhe jetojnë të varur nga politika, përmes interesit, me lakimin e kurrizit dhe heshtjen para fatkeqësive që u kanë ndodhur shqiptarëve, e që vazhdojnë t’u ndodhin edhe sot.

I.

Edhe në këtë periudhë të ndryshimit të pushteteve, kur dikush i fërkon duart që i është dhënë rasti të ngrihet në pushtet, ndërsa dikush e përjeton tepër vështirë rënien nga pushteti, me këtë edhe heqjen nga goja të tortës mashtruese nga goja, pa kuptuar se një ditë, sikur të gjithëve njerëzve vdekatarë, rregullat e pushtetit dhe politikës askujt nuk ia kanë dhënë këtë të drejtë ta gëzojnë e shfrytëzojnë përgjithmonë, as edhe këtyre të zhgënjyerve tanë të politikës. Prandaj, edhe kësaj radhe ua përsëris pyetjet e njëjta, me shpresë se dikush nga radhët e tyre mund të esëllohet e reflektojë.

II.

Cili nga politikanët dhe pushtetarët e djeshëm e të sotëm shqiptarë në Maqedoninë Veriore mund t’ua shpjegojë qytetarëve të këtij vendi, lexuesve tanë dhe opinionit të gjerë se, në bazë të cilave kritere, shkencore dhe joshkencore, shqiptarët në këtë shtet duhet edhe më tej të trajtohen si pakicë kombëtare, siç i trajton Kushtetuta e këtij vendi?

Pse shqiptarët në vendin e tyre, në shtetin e Maqedonisë Veriore, ku në vazhdimësi historike dhe shtrirje gjeografike kanë përbërë shumicën e popullsisë, ku janë autoktonë në trojet e veta etnike, sot duhet të ndjehen qytetarë të dorës së dytë, argatë në shtëpinë e tyre, siç e përcakton Kushtetuta dhe ligjet aktuale të këtij shteti, duke jetuar në mëshirën e të tjerëve, të atyre që ua përcaktojë nivelin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive?

Pse shqiptarët duhet të kërkojnë nga të tjerët të drejtat e tyre të ligjshme që u takojnë, ndërsa pushteti dhe politika u dashka të tregohet “zemërgjerë” ndaj tyre, për t’ua dozuar masën e këtyre të drejtave, si p.sh. të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare në masën prej 20%, apo masën e përfaqësimit në administratë, në institucione dhe organet e pushtetit?

III.

Duke qenë i sigurt se, asnjëherë nuk mund të japin një përgjigje të saktë e të duhur, sidomos jo përmes mediumit ku u parashtrohen këto pyetje dhe sidomos nga personi që ua parashtron ato, këto pyetje le të shërbejnë si përkujtesë, si duhet të ndjehen gjatë kohës sa janë në pushtet, çfarë duhet të bëjnë për t’ua larë borxhin së paku votuesve të tyre, ndërsa për realizimin e aspiratave historike të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, as nuk duhet të mendojnë se janë me këmbë në tokë, si ata që kanë qenë në pushtetet e mëparshëm edhe këta që janë sot.

IV.

Çfarë mund të përfitojnë shqiptarët e Maqedonisë Verore nga pjesëmarrja në pushtet e koalicionit VLEN të partive shqiptare? As më shumë e as më pak nga ajo që kanë përfituar shqiptarët në qeverisjen e VMRO-së me PDSH-në gjatë viteve 1998-2002, dhe në një gjysmë mandati më vonë, po aq sa edhe nga bashkëqeverisja e BDI-së me VMRO-në, për një dekadë të tërë deri në vitin 2017.

Këtë e dinë më së miri edhe drejtuesit kryesorë të koalicionit VLEN, të cilët edhe gjatë qeverisjes së mëpashme të partive të tjera të shqiptarëve me VMRO-në kanë qenë bartës të funksioneve të larta në ato pushtete. Për faktorin politik shqiptar, fatkeqësisht nuk ka rëndësi se kush qeveris dhe si qeveris, por vetëm partia apo lokacioni i partive të tyre të jetë pjesë e pushtetit, pa mbajtur përgjegjësi asnjëherë për pozitën e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare të mohuara, të shkelura e nëpërkëmbura.

Faktorit politik shqiptar asnjëherë nuk i ka interesuar se cili është numri real i banorëve të këtij shteti dhe sa i paraqet pushteti zyrtarisht. Sa është numri real i votuesve në këtë shtet dhe sa i paraqet zyrtarisht pushteti. Sa është numri real i banorëve shqiptarë në këtë shtet dhe sa i paraqet zyrtarisht pushteti. Cilat janë lojërat politike të pushtetit për paraqitjen sa më të vogël të numrit të shqiptarëve në këtë shtet, me këtë edhe dozimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, sidomos mbeten e mëtejshme të shqiptarëve si pakicë kombëtare, siç e përcakton kushtetuta aktuale, me fajin edhe të faktorit politik shqiptar në këtë vend.

Përfundim

Po e përfundoj këtë vështrim me deklaratën e ish-kryetarit të Qeverisë së Maqedonisë Verore, Zoran Zaev, i cili në një takim zyrtar, në praninë e disa përfaqësuesve shqiptarë në delegacionin që e kam udhëhequr unë në emër të Akademisë Shqiptare Amerikanë të Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork dhe në Shkup, mes tjerash ka deklaruar (parafrazoj): “Nga përgjimet e pushtetit të mëparshëm (VMRO-BDI), shumicën e të cilave kam pasur rastin si askush tjetër t’i dëgjoj, unë jam rrëqethur nga dëshmitë se çfarë kishte planifikuar ai pushtet kundër shqiptarëve!”

A ka politikan dhe pushtetar shqiptar që mund të rrëqethet nga gjithë ato fatkeqësi që i kanë përjetuar shqiptarët gjatë këtyre tri dekadave të fundit, këtë përgjigje duhet ta japin vetë ata, para se të përfshihen në faqet e zeza të historisë!

(26. 6. 2024)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments