Pjesë nga recensioni:
“Autori ka adoptuar një rrugë tjetër për arritjen e synimeve të vëna, atë institucionale, duke bërë kërkesë zyrtare në emër të Komunës së Tetovës për të hapur universitet shqip në Maqedoni.
Këtë e ka realizuar në bashkëpunim me të zgjedhur të tjerë të komunave që kishin shumicë shqiptare në atë kohë, siç ishte Komuna e Gostivarit dhe e Dibrës, por jo vetëm.
Në këtë drejtim, nga vetë autori dhe grupi i intelektualëve nismëtarë janë realizuar shumë takime me përfaqësues ndërkombëtarë për t’i informuar për gjendjen e arsimit shqip, si dhe për të kërkuar ndihmën e tyre për tejkalimin e gjendjes së rëndë. Takime të tjera të rëndësishme përgatitore, që jepen aty, janë edhe ato që janë realizuar me profesorët universitarë të Prishtinës, si dhe me një numër të konsiderueshëm të profesorëve me tituj shkencorë nga trojet tona në Maqedoni.
Me rëndësi për t’u përmendur është kërkesa drejtuar Ministrisë së Arsimit, e datës 17.02. 1994, ku autori, në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit Komunal të Tetovës, kërkon që në rajonin e Tetovës të themelohet institucion i arsimit sipëror me mësim në gjuhën shqipe.
Aktivitetet jashtinstitucionale autori i ka koordinuar dhe zhvilluar në emër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare (si nënkryetar i dorëhequr i BKSH së bashku me kryetar Fadil Sulejmani), e cila shfaqet edhe si organizatore e Kuvendit të Intelektualëve për këtë qëllim, që u mbajt më 4 qershor 1994. Këtu edhe nis realisht projekti i pandalshëm i quajtur “universiteti shqip në Maqedoni”.
Recensent, Prof. Dr. Murtezan Ismaili (Prorektor i UT-së 1994/95 – 1998/99)
Tetovë, tetor 2023
* * *
Reagim me sqarime
NËNA E MIRË I BEKON BIJTË E SAJ, NUK I MALLKAN SI VJEHËRR E KEQE: “PËR INAT TË NUSES, MË VDEKTË DJALI”!
Për inate personale, nga mospajtimet dhe pakënaqësi ndaj drejtuesve të djeshëm e të sotëm Universitetit të Tetovës, që nga periudha e largimit të tij dhe shumë të tjerëve nga ky Universitet, në vitin 1998, në 30-vjetorin e themelimit këtij institucioni simbol dhe krenari e shqiptarëve, në vend se t’i adresojë pakënaqësitë e veta në adresën e duhur, këtë mllef të akumuluar mundohet ta shfryjë përmes shtrembërimit të fakteve për themelimin e Universitetit të Tetovës, edhe atë, përmes librit të një autori tjetër, duke ua zbehur kështu vlerën edhe fakteve të shumta të cilat i sjell autori i këtij libri.
Ajo që më detyron mua të reagoj në këtë rast, lidhet me të pavërteta që sjell autori, si njëri nga tre recensentët e librit, lidhur me rolin e Bashkësinë Kulturore Shqiptare në Maqedoni dhe rolin tim në cilësi të kryetarit të saj, për themelimin e Universitetit të Tetovës.
Konstatimi i autorit të recensionit, mikut tim të çmuar dhe profesorit të nderua Murtezan Ismaili, kinse autori i librit, Liman Kurtishi “aktivitetet jashtinstitucionale autori i ka koordinuar dhe zhvilluar në emër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare (si nënkryetar i dorëhequr i BKSH së bashku me kryetar Fadil Sulejmani), e cila shfaqet edhe si organizatore e Kuvendit të Intelektualëve për këtë qëllim, që u mbajt më 4 qershor 1994. Këtu edhe nis realisht projekti i pandalshëm i quajtur “universiteti shqip në Maqedoni”.
Me këtë rast, pa sjellë asnjë dëshmi të vetme për këtë konstatim, duke e vënë Bashkësinë Kulturore dhe kryetarin e saj në rolin e shërbyesit teknik për interesa të nënkryetarit të Komunës së Tetovës. Çfarë mjerimi intelektual!
Kësaj radhe, për autorin e këtij recensioni dhe gjithë të tjerët që pretendojnë se e njohin sadopak historinë e kësaj organizate, BKSH-së, si dhe historikun e Universitetit të Tetovës, u bëj rritje publike që të publikojnë së paku një dokument të vetëm në emër të BKSH-së, të përgatitur, vulosur e nënshkruar nga ndonjë person tjetër, përveç kryetrarit të saj Abdulla Mehmeti, e që ka të bëjmë me iniciativën, periudhën përgatitore dhe mbajtjen e Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, përfshirë këtu edhe “personat e dorëhequr” më 1991, Fadil Sulejmanin, Liman Kurtishin apo ndonjë persona tjetër.
Për freskimin e kujtesë, të autorit të këtij recensioni, prof. dr. Murtezan Ismailit, nëse nuk i kujtohet pas tridhjetë vjetësh, mund ta vërtetojë se, nga data 20 gusht 1992 deri më 21 janar 1994, ka qenë anëtar i Komisionit Amë për hajen e Fakultetit Pedagogjik në Shkup, si përfaqësues i Partisë Demokratike Popullore, por, me dëshirën e tij është bashkëngjit me iniciativën e Bashkësisë Kulturore për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga Kuvendi themelues: Universiteti i Tetovës), madje që nga data 9 nëntor 1993 (shih dokumentin), së paku tre muaj më më herët se data që përmend autori i librit, Liman Kurtishi, dhe autori i recensionit, Murtezan ismaili, se më 17 shkurt 1994 i është drejtuar kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës Fizike dhe në lidhje me nevojën për hapjen e ndonjë institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në nivel të Komunës së Tetovës.
Dhe, për fund, një pyetje për autorin e Recensionit, Prof. Dr. Murtezan Ismailin, për freskim kujtese dhe reflektim:
Cili do të ishte roli i tij në lidhje me themelimin e Universitetit të Tetovës, të mos ishte propozimi nga organizatori, BKSH-së dhe kryetarit të saj, për emërimin e tij anëtar i Kryesisë së Punës në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, më pas, në Kuvendin themelues i propozuar dhe zgjedhur anëtar i Kryesisë së Universitetit, bashkë me Prof. Dr. Fadil Sulejmanin dhe Prof. Dr. Agini Dikën, si dhe zgjedhja e tij më vonë, nga data 8 janar 1995, Prorektor për Arsim i Universitetit të Tetovës?
Sigurisht se, kjo nuk është varur atëkohë nga askush tjetër, as nga nënkryetari i Komunës së Tetovës, Liman Kurtishi, as nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili është zgjedhur gjithashtu nga Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, i mbajtur më 4 qershor 1994, fillimisht kryesues i punimeve të Kuvendit themelues, anëtar i Kryesisë së Universitetit, me propozim të organizatorit të këtij Kuvendi, Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, përkatësisht nga kryetari të saj, Abdulla Mehmeti, që do ta vazhdojë punën dhe karrierën e tij, nga 8 janari 1995 i zgjedhur Rektor i parë i Universitetit të Tetovës.
Kësaj radhe, kaq!
(8 qershor 2014)