Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të organizojë Akademi solemne me rastin e 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe Ditëve të Alfabetit Shqip.
“Akademia solemne do të mbahet sot me fillim nga ora 14:00, në sallën e Filarmonisë”, njoftojnë nga zyra e nënkryetarit të parë të Qeverisë, Artan Grubi.
Gjithashtu, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në mesditë do të ndahet edhe çmimi shtetëror “22 Nëntori”, i cili ndahet në shenjë mirënjohjeje për personat nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar për përmirësimin e bashkëjetesës midis njerëzve dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Fitues të çmimit të sivjetmë “22 Nëntori” janë studiuesi dhe shkrimtari Agim Vinca dhe shkrimtari Amet Selmani.