Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje ka qenë mysafir në shërbimin kombëtar,MTV, ku ndër të tjera është pyetur se “a ka pasur takim me Palevskin”. Mickoski fillimisht u përgjigj se takohet me shumë njerëz sepse është politikan, më pas konfirmoi se ka pasur një takim para rreth katër vitesh, kur i ka kërkuar mbështetje për regjistrimin e një partie politike dhe se nuk kanë pasur asnjë bashkëpunim tjetër.
Kreu i VMRO-DPMNE-së e ndryshoi rrjedhën e bisedës kur gazetari e pyeti për deklaratën e tij se ka informacione për rastin dhe do t’i prezantojë publikut pas muajsh dhe iu referua përgjegjësisë së institucioneve.
Tash pashmangshëm shtrohet pyetja se çfarë të dhënash di Mickoski dhe pse nuk i thotë publikisht apo nuk e ka bërë para prokurorisë apo bëhet fjalë për grumbullimin e pikëve të vogla politike.
Në kohën kur mbarë opinioni ishte i tronditur nga rasti i vrasjes së dyfishtë, Mickoski dhe VMRO-DPMNE tronditën edhe më shumë opinionin me sjelljen e tyre të papërgjegjshme.
“Dikush po përpiqet të defokusohet nga çështja thelbësore dhe të merret me ndonjë çështje periferike që nuk ka të bëjë me atë që ishte çështja atë ditë, por edhe ditët para dhe pas”, tha Mickoski.
Bashkëpartiaku i Mickoskit, Dragan Kovacki, në disa raste ka dalë me projeksionet e tyre për rastin e vrasjes së dyfishtë të 14-vjeçarit Vanja dhe 74-vjeçarit Pançe, ndërsa Mickoski në intervistën e djeshme ka thënë se VMRO-DPMNE është ende. në pritje të përgjigjeve për dilemat rreth vrasjeve dhe nuk ka asnjë informacion për rastin edhe pse paraprakisht kishte njoftuar se kishte informacione.
Mickoski gjatë daljes së djeshme në MRTV është pyetur edhe nëse qëndrimet e Palevskit për Marrëveshjen e Prespës, kritikat ndaj propozimit francez dhe manifestimi i “patriotizmit” nën perden e flamurit nga Vergina, e afrojnë më shumë me VMRO-DPMNE-në, ndaj së cilës Mickoski kundërshtoi dhe tha se pikërisht ato qëndrime tregojnë se ai është instalacion partiako-policor.