Sinqerisht pyes: kush janë “ekspertët e sigurisë” që e kanë rekomanduar këtë qasje?
Të kthesh nxënësit në mësim menjëherë pas një “kontrolli” për alarm bombë nuk është një deklaratë e lehtë. Është përgjegjësi e madhe!
Sa kohë reale i duhet policisë për të kontrolluar tërësisht një objekt shkollor?
Duke ditur madhësinë e shkollave tona – klasa, kabinete, laboratorë, zyra, korridore, WC – vetëm hyrja dhe dalja sistematike në çdo hapësirë kërkon kohë. Minimumi disa orë për një kontroll serioz.
Ku do të qëndrojnë nxënësit gjatë kësaj kohe?
Në oborr? Në rrugë? Të grumbulluar pranë objektit?
Po nëse, larg qoftë, alarmi nuk është i rremë?
A është e sigurt që qindra fëmijë të presin në afërsi të objektit?
Siguria e fëmijëve nuk është diçka sa për të thënë dhe deklaruar para mediave.
Siguria është protokoll, përgjegjësi dhe profesionalizëm.
Mos eksperimentoni me vendime që mund të kenë pasoja fatale – jo vetëm fizike, por edhe psikologjike për fëmijët tanë. Ankthi, frika dhe pasiguria po bëhen rutinë në shkollat e Tetovës.
Të nderuar, kjo temë kërkon seriozitet maksimal.
Uluni, konsultohuni me profesionistë të vërtetë të sigurisë, rishikoni protokollet dhe vendosni në radhë të parë jetën dhe qetësinë e fëmijëve.
