Gazetari Vehbi Kajtazi ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës- AGK, për një numër të madh kërcënimesh, mbi 100, që ka marrë pas deklaratave të tij në RTV Dukagjini rreth Grupit të Kumanovës.
Ai përmes një letre dërguar AGK-së, ka thënë se ka hapur rast në polici pas kërcënimeve.
“Prej asaj dite kam marrë qindra kërcënime me jetë nga persona të ndryshëm. Këto kërcënime janë nxitur edhe nga reagimet e grupit të dënuar të cilët lirshëm shkruajnë e lidhen me Televizione. Sot, zyrtarisht kam hapur rast në Polici kundër një numri prej 100 personash kërcënimet e të cilëve janë shumë serioze. Me rastin tashmë janë duke u marrë Krimet e Rënda në Polici, sektor ky që po merret me verifikimin dhe hetimin e këtyre rasteve. Numri i rastit të hapur në Polici është 2021 – AB 3245”, ka shkruar Kajtazi në letrën për AGK-në.
Përmes një reagimi, AGK-ja dënon fuqishëm kërcënimet me jetë ndaj Kajtazit dhe e fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për të dhe personat e afërt të tij, si dhe të trajtojë me prioritet rastin e paraqitur nga ai. /Zëri