12.3 C
Tetovo
E premte, 18 Tetor, 2024
BallinaKulturëAgim Mehqemeja / Margatita e Kristaq Tutulani

Agim Mehqemeja / Margatita e Kristaq Tutulani



-Fragment poeme –

Korrik 43. Mëngjes.
Data pesë.
U zgjua lagjja tradhëtuar.
Lajmi u hap rrufe.
Vrapon një djalë. Gjëmon kalldrëmi.
Troket diku në portë.
Troket. Trokitje e shqetësuar.
Prandaj troket aq fortë.

Hyn me rrëmbim djaloshi. I lodhur,
I zbehtë, i trubulluar:
“Shpejtoni! Se armiqtë e poshtër
gjithë lagjen kanë rrethuar!”

Vëlla e motër sy ndër sy
U panë qetësisht,
Në atë heshtje – kob vendosën:
Të vdesin burrërisht.

Nga një deriçkë dalin jashtë,
Por ranë atje në pritë,
E nisën një epope në heshtje:
Kristaq e Margaritë.
Me trup të hedhur e të fortë,
Gjakosur. Sytë shkëndi.
Ndër pranga lidhur.
Shpirt’i tyre – liri.

I sheh marshall Martini egër,
E rëndë – rëndë thotë:
“Këta banditë do ta gëzojnë shumë
Kapitenin sot.”

I sulet Margarita hapur:
“Banditë jeni ju,
Lirinë ju na e grabitët.
Ç’deshët që erdhët këtu?…
Vdiq “vinçeremoja” me kohë,
Po vdes dhe Musolini.
Ta dini, udhëve do mbesni.
Për krimet, ku do vini?…”

Një lundër hidhet mbi Osum,
Osumi turbull ish,
E mbarte lidhur bijtë e tij,
Që rritur vetë i kish.

Berati shihte revoltuar
E grushtet fort shtrëngonte:
Midis armiqve trimëria
ballë lartë po kalonte.

Mesdita zjarr. Por pikëllimi
digjte si mijëra flakë.
Kristina humbjen në zemër ndrynte:
Liria s’vjen pa gjak.
E, ashtu heshturazi mendonte
e bija ç’i pat thënë:
“Askujt veç nesh s’do t’i dorëzosh,
Si sytë m’i ruaj nënë,
Janë dokumenta të partisë,
Për to kemi nevojë..”

Më ngushtë Kristina s’pati rënë,
Nuk di si të veprojë.

Pranë nënës rrinte Xheni ulur
dhe Drita rinte pranë.
Në zemër motrave u dhimbte
Për motrën dhe vëllanë.

Me dhimbje vren Kristina Dritën
e dhimbshëm nis t’i thotë:
“Mundohu Ritën e Kristaqin
në burg të m’i takosh.
N’u ndodhshi vetëm, të m’u thuash,
Nëna ka veç një brengë:
Kujt t’ia dorëzoi materialet,
Që ia lat asaj peng?
Kujdes të kesh, moj bijë,
që lot’ e mi të mos i shohin. . .”

Oh Nënat, Nënat sa të forta,
Sa dëshpërime njohin!
E kurrë s’pranuan që ta ndrrojnë
lirinë me robëri,
ndaj gjakun e bijve ta kanë falur
kaq herë, o Shqipëri!

Si zog shqiponje rendi Drita,
Midis armiqsh u end,
gjer me Kristaqin u takua,
gjer sa para tij u gjend.
Ndër sy u panë, e bleu mendimet
Kristaqi e Drita ç’desh.
Me shumë kujdes i dha shpjegimet,
Se kanë dhe muret veshë.
“Xhelatët, motër, na burgosën,
e dimë dhe çfarë na pret,
prandaj t’i Nënës, që aq shumë ka bërë,
I thuaj si amanet:
Nuk munda t’ia shpërblej mundimin,
qoftë edhe sado pak.
Por prapë, mes udhës të mos mbesë,
shokëve t’u bëjë jatak.
Asgjë të mos kursejë për ta,
Me ta të jetë përbri,
Atdheu sot nga ne kërkon:
Ja vdekje, ja liri!

Një lot në sy i shket të voglës,
Po Rita e qorton:
“Guxim moj Ditkë!
Pionerët guximi i nderon.
Ne do qëndrojmë dhe para vdekjes
të fortë e kryelartë.
Kurajë t’i jepni nënës, Ditkë,
me shpirtin tuaj të zjarrtë.
Dhe shokët, kur të pyesin motër,
t’u thuash se s’u dhamë.
Dhe Nënës dy – tri fjalë për zemër
t’i thuash: Turp s’të lanë…”

Xhelati endej korridorit
si njollë e zezë pa formë,
që herë zgjatej, herë shkurtohej,
krekosur në uniformë.
Takimin e ndërpret në mes,
e Drita, duke shkuar,
rrëmben buzëqeshjen që i fal Rita
me grusht duke nderuar…

Pas kohës rendën ngjarjet shpejt
e kënga me to shkon:
Makina ecën gjithë zhurmë,
Vetura pas vrapon.
Dhe endeshin në atë udhëtim
mendimet ballë për ballë,
kujtimet rendin pas me vrull,
vdekja endej vërdallë.
E s’kish guxim t’i qasej pranë,
se shok kish tradhëtinë,
se vendi rreth e rreth thërriste:

  • Me gjak mbroni lirinë!
    Mbaron udhëtimin kërmë e huaj
    me zhurmë e me shamatë,
    I shkretë ish vendi, pa njeri,
    Pranë, një hemdek i thatë.

Flet kapiteni:
“Pa mendoni më shtruar,
sa s’është vonë,
sa plumbat s’u kanë prekur trupin,
një fjalë veç u shpëton.
Kristaq, je burrë e të përket
që të gjykosh me mënd.”

“Sa qesharak po bëhi!
Si s’e njohët këtë vënd?
Ne jemi njohur dhe më parë,
në Vlorë. S’ke dëgjauar?
Si duket, historinë në shkollë,
nuk do ta kesh mësuar!…”

I fyer kapiteni,
Rëndë Marshallit i gjëmon:
“Më kot asaj i bën premtime,
Më kot i bën presion!”

E urdhër jep për zjarr.
Hesht trimi përgjithnjë.
Me dhimbje Rita i thërret:
“Vëlla!” – e rend mbi të.

I zbeht Martini i pret rrugën,
e armën kthen në ças,
Po ajo rreptë i turfullon
Si deti plot tallaz:
“Të dridhet dora, burracak,
Qëllo, o qën mizor,
Por dije, shpejt do bjerë mbi ju
ndëshkimi popullor.”
E si shqiponjë në fluturim,
gjoksin pa frikë e hap…
Korriku ndizet atë ditë,
e dhéu digjet flakë.

Tmerruar vdekja e ndërron udhën,
Kërkon tjetër kullotë,
Se trimëria s’vdes nga plumbat,
Se plumbi është dhe barot.

Pas kohës vdekja ndoqi pas
armikun gjakatar.
Dhe eshtrat udhëve i mbenë,
për të s’u gjend më varr…

Tani kur vapë bën korriku,
a dimri bën acar,
kurora lulesh ne u sjellim,
o trima luftëtarë,
se ju na dhatë lirinë,
e ne me ju jetojmë çdo ditë.
Me ne jetoni ju përjetë:
Kristaq e Margaritë.

SHËNIM: Kjo poemë fitoi çmimin e parë në konkursin e Ministrisë së Mbrojtjes, shpallur me rastin e 25 vjetorit të Ushtrisë Popullore. Poema ka 622 vargje. Këtu paraqitëm 182 vargjet e fundit të saj. Shkëputur nga antologjia poetike “Shqiponjat vigjëlojnë”, Tiranë, 1969.

Përzgjodhi Dilaver Goxhaj

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments