Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Angela Price Aggeler, në një konferencë për shtyp me gazetarët tha se korrupsioni në vend, në dekadën e fundit, është rritur ndjeshëm, shkruan TV21. Ajo tha se është shumë e rëndësishme për vendin që ky fenomen të luftohet, prandaj edhe SHBA-të kanë investuar miliona dollarë në këtë drejtim.
“Është shumë e rëndësishme të luftohet korrupsioni, krimi i organizuar, jemi krenar që jemi pjesë e kësaj strategjie. Në 32 vite që kemi marrëdhënie me këtë vend, miliona dollarë ndihma kanë shkuar për qeverisje të mirë dhe drejtësi. Prandaj, është dekurajuese, sepse në dekadën e fundit kemi parë një rritjes sinjifikative të korrupsionit në këtë vend. Çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Siç e dini, ne kemi trajnuar pjesën më të madhe të gjykatësve, pjesën më të madhe të prokurorëve në këtë vend duke punuar ngushtë me ta. Ne kemi përdorur edhe pajisje programore të dizenjuara individualisht me Departamentin e Shtetit dhe të Thesarit.”- tha Aggeler.