17.8 C
Tetovo
E diel, 27 Tetor, 2024
BallinaOpinionAfrim Ibrahimi -Fanda / Përse u shërben shqiptarëve politika ?

Afrim Ibrahimi -Fanda / Përse u shërben shqiptarëve politika ?

Sapo kishte filluar të ngjitej në hierarkinë e BDI-së, e cila po akomodohej në pushtetin që i ndau partneri i koalicionit të parë bashkëqeverisës pas themelimit saj. Erdhi dhe u ul në tavolinë serioz, me pamjen e një njeriu që ishte menduar gjithë natën për të gjetur përgjigjen e një sekreti të madh jetësor, dhe më në fund e kishte gjetur: “Kemi patur një bindje të gabuar, naive për politikën Afrim” tha, duke vazhduar më tej, ”politika nuk është për të jetësuar ideale dhe për të arritur synime politike siç kemi menduar ne, por thjesht për të bërë para…kështu është në gjithë botën”.
E tha me një qëndrim pompoz, por njëkohësisht edhe i lehtësuar sepse më në fund kishte gjetur arsyetimin për të qetësuar ndërgjegjen dhe për të përligjur atë që po bënte. I ndodhur para dilemës morale migjeniane: “Derr I kënaqur me atë trupin e majmun e të shndoshë e me andje zhigatuni, dhe në fund ai bisht i përclluem në flakën e bukurisë hyjnore” apo “Sokrat i vuejtun, me dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike”, natyrisht, e kishte zgjedhur atë të parën. Nuk është se ishte i pasigurtë apo i pakënaqur me “mençurinë” dhe “shkathtësinë” e tij për zgjedhjen që kishte bërë, por i mungonte edhe fytyra maskë e “Sokratit të vuejtun” për ta vendosur para neve të tjerëve që “nuk e kuptonim” se përse shërbente politika.
Më tregoi për “zbulimin” e tij, i pavetëdishëm se në fakt sapo kishte përshkruar mendësinë e shqiptarit egoist, servil dhe mizor, i gatshëm për të shkelur mbi bashkëkombasit e tij për përfitimet nga të shërbyerit pushtetit në duart e të huajve, duke filluar që nga bjelerët dhe pashallarët shqiptarë që shërbyen sulltanëve të Perandorisë Osmane, duke vazhduar me ata që shërbyen krajlit, Titos, e deri ata që sot shërbejnë Mickovskit histerik antishqiptar. Kishte përshkruar mendësinë e klasës politike të korruptuar, të shitur dhe të blerë – monstra të gatshëm për të shkatërruar të sotmen dhe të nesërmen e miliona shqiptarëve, për milionat dhe miliardat e dollarëve që nuk do ti gëzojnë kurrë. Kishte përshkruar mendësinë e shqiptarit egoist edhe ndaj fëmijëve të tij, që futet në parti jo për të ndryshuar të nesërmen e fëmijëve të tij, por për tu futur sot, vet ai në punë.
Në fakt, i pavetëdishëm, ai po përshkruante shoqërinë shqiptare, për të cilën, për fat të keq edhe sot vlen me saktësi përshkrimi i Migjenit, që ai e bëri në prozën e tij të njohur “Sokrat i vuejtun apo një derr i kënaqur”. Po përshkruante të gjithë ata shqiptarë “derra të majmë, të zgjuar dhe të shkathët” që me kompromisin moral që kishin bërë, vërtetë kishin fituar nga politika, kush vilat dhe makinat e luksit e kush një copë bukë për lëmoshë, por të gjithë me të njëjtën nevojë të dëshpëruar për ndërgjegje të pastër dhe respektin e të tjerëve, atë që Migjeni e përshkroi si fytyrën maskë të Sokratit në trupin e derrit të majmë.
Biseda me këtë mikun tim, mu kujtua këto ditë, kur në një moment po mendoja, athua edhe këta politikanë dhe pushtetarë që sot përballen, dhe të tjerët që padyshim do të përballen nesër me drejtësinë, e kanë menduar kështu politikën – se shërben për të bërë “pak para”!?

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments