Lufta e Dytë Botërore mund të kishte mbaruar më herët dhe mund të kishin shpëtuar shumë jetë që u shuan si pasojë e çmendurisë së saj… Në një kohë kur Hitlerit po fillonte t’i zvogëlohej disi forca ushtarake dhe harta e pushtimeve të tij po niste të rrudhej, një nga komandantët e tij e informon për këto punë dhe i kërkon tërheqje nga lufta sepse po vriten shumë njerëz të pafajshëm, midis tyre shumë fëmijë… Hitleri e kundërshton kategorikisht duke i thënë se meqë populli na votoi ne, tani le të durojë dhe vdekjet!” ishte postimi i para ca ditëve i z. Arben Taravari, kryetari i komunës së Gostivarit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për shqiptarët, në profilin e tij në FB.
Z. Taravari dukej i kënaqur me deklaratën e tij, sepse qartazi kishte aluduar në rivalët e tij politik, krerët e BDI, e meqë nuk kishte përmendur emra, ndjehej ligjërisht i pakomprometuar. Ne fakt, mesazhi i satusit të tij ishte më se i qartë: z. Taravari, tani më i paduruar për shkak të bindjes se partia e tij ka partnerin e duhur (VMRO) dhe rradhën për të zëvendësuar BDI-në në pushtet, kërkoi nga BDI që të tërhiqet, për të “mos shkaktuar vuajtje të metejshme” atyre “që gabuan duke i votuar ata”.
Pas kësaj deklarate pasoi, në dukje, reagimi i ashpër i BDI, duke kërkuar që z. Taravari të fshinte statusin e tij ne FB dhe të kërkonte ndjesë publike qytetarëve dhe të gjitha viktimave, familjeve të tyre!?
Kariera politike dhe profesionale e z. Taravari u zhvilluan krahas, që nga angazhimi i tij politik në PDSH dhe punësimi në Klinikën Universitare të Neurologjisë në Shkup, e deri tek posti i ministrit të shëndetësisë dhe posti i kryetarit të komunsë së Gostivarti, krahas postit të sekretarit të përgjithshëm të ASH, parti e dalur nga fkraksioni i të pakënaqurve nga kryetari i PDSH, z. Menduh Thaçi. Pikërisht këtu buron frymëzimi dhe motivi kaq i ulët i z. Taravari, për të bërë këtë paralelizëm pa shije dhe vulgar, në mes të luftës primitive dhe egoiste për pushtet, të partisë së tij me BDI-në, dhe luftës së dytë botërore ku humbën jetën rreth 60 milion njerëz,miliona të tjerë u zhdukën, plagosën, mbetën invalidë, humbën shtëpitë, mbetën pa kushte minimale jetese…
Motivi i ulët i tij, bie në sy akoma më shumë, kur aludimin me cinizmin e Hitlerit për “mostërheqje nga lufta” për të kursyer “ata që i votuan”, nuk drejton krerëve të LSDM-së, si vendimmarrës real, por krerëve të BDI-së, të cilët janë thjesht “ushtarë” të LSDM-së. Pse? Sepse tek LSDM, ashtu si tek VMRO, z. Taravari sheh njërin nga dy padronët vendimarrës për aspiratat e partisë së tij për pjesmarje në pushtet, ndërsa tek BDI, konkurentin që duhet mposhtur me të gjitha mjetet.
Vetëdija e papjekur kombëtare e z. Taravari, e humbur diku ne mes lojalitetit të tij ndaj pushtetit unitar të ish IRJM, dhe adhurimit të Erdoganizmit, bën që me këtë “sarkazëm” pa vend dhe pa shije, t’ua kujtojë shqitparëve paradoksin e dhimbshëm, se me fillimin e Luftës së Dytë Botërore kur shumë popuj të tjerë evropian humbën lirinë, gjysma e shqiptarëve, ndër to edhe bashkëqytetarët e z. Taravari, gjetën lirinë nga pushtimi sllav, duke u bashkuar në shtetin e tyre shqiptar, duke u bërë për herë të parë me administratë në gjuhën e tyre, shkolla në gjuhën e tyre, aktivitete kulturore në gjuhën e tyre… Ndërsa me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, dhe me atë që z. Taravari quan “çlirim”, këta shqiptarë e humbën lirinë e tyre, shtetin e tyre, administratën e tyre. E shkollat e tyre u shëndruan në kampe përqëndrimi, nga ku një pjesë u nxorën natën nga “çliruesit”, për të mos u kthyer kurrë pranë familjeve të tyre. Për këta shqiptarë filluan represaljet, vrasjet, shpërnguljet, burgosjet, duke vazhduar deri edhe sot e kësaj dite, me bombardime të fshatrave dhe lagjeve të tyre, ekspedita policore, burgosje dhe mbajtje të njerëzve të pafajshëm nëpër burgje, për të cilët, herë pas here ankohet edhe z. Taravari sa për të siguruar donjë votë të shqiptarëve të mashtruar, të nevojshme për pjesëmarrjen e partisës së tij në pushtet.
Ndaj jo, zoti Taravari nuk duhet të kërkojë falje nga krerët e BDI-së, sepse ata nuk e meritojnë këtë gjë. Por ai duhet të kërkojë falje nga bashkëkombasit e tij në ish IRJM e më gjërë, për faktin që i ofendoi dhe u shkaktoi dhimbje duke luajtur për interesa kaq meskine me historinë e tyre të dhimbshme, që akoma edhe sot e kësaj dite nuk ka gjetur drejtësinë e merrituar, dhe duke e krahasuar atë me të sotmen gjithashtu të dhimbshme, edhe me kontributin e vet z. Taravari dhe partisë së tij.