Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, sot është takuar me raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, euro-deputetin bullgar Ilhan Kyuchyuk.
Në këtë takim është folur për agjendën e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, për mundësinë e hapjes së negociatave dhe për zgjidhjen e kontestit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
“Sot, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të partisë, Bekim Sali, u takuam me raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, euro-deputetin bullgar Ilhan Kyuchyuk.
Me të biseduam për agjendën e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, për mundësinë e hapjes së negociatave dhe për zgjidhjen e kontestit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Deputeti Ilhan Kyuchyuk shprehu gatishmërinë që ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën euro-integruese. Ai e përshëndeti edhe vendimin e Alternativës që në mbledhjen e mbrëmshme i dha shans agjendës euro-atlantike të vendit dhe uroi që ato bisedime të kenë epilog të suksesshëm.
Unë e falënderova mikun tim Kyuchyuk për takimin dhe bashkërisht u zotuam se do të vazhdojmë të komunikojmë e bashkëpunojmë për të ardhmen e përbashkët europiane”, ka shkruar Gashi në facebook. /SHENJA/