Kryetari i partisë Alternativa Afrim Gashi, në emisionin “10 MINUTA” të TV21 thotë se partia e tij është e gatshme të bashkëpunojë në zgjedhjet e 12 prillit me të gjitha partitë politike. Ai thekson se duhet të ketë bashkëpunim dhe të ketë koalicione parazgjedhore me partitë politike. Gashi nuk ka dashur të komentojë deklaratën e liderit të Besës Bilall Kasami, duke thënë se flitet për diçka joserioze.
“Të gjitha deklaratat që janë në televizion nuk është mirë të merren seriozisht. Jeta është e bukur dhe shkurt, duhet ta shijomë, kështu që mendoj të kalojmë në pyetjen tjetër. Nuk ia vlen të komentohet çdo deklaratë e çdo personi”, theksoi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Një ditë më parë kryetari i Besës Bilall Kasami, deklaroi se Afrim Gashi, ka bërë gabim që është bërë pjesë e Qeverisë, por megjithatë ai shfaqi gatishmëri që të koaliciojë me të gjitha partitë politike duke lënë derën e hapur edhe për partinë e Gashit.
“Por nëse ka dilema se ky bashkëpunim nuk mundet që ta largojë BDI-në nga pushteti ne jemi gjithashtu të gatshëm të bashkëpunojmë me gjithë spektrin opozitar, me gjithë partitë politike të cilat dikush me ose pa qëllim të keq i fut në këtë bashkëpunim opozitar edhe disa parti për momentin janë bashkëqeverisje me BDI-në por nëse është qëllimi primar largimi i BDI-së nga qeveria, dhe të vijnë forca të reja politike, ne jemi të gatshëm të gjithë subjektet politike kundër BDI-së”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Teksa partitë shqiptare kalkulojnë se kush me kë do të koalicionojë, kreu i LSDM-së Zoran Zaev shpreh gatishmëri për të zgjeruar akoma më shumë koalicionin me parti të tjera shqiptare. Për momentin Zaev në bashkëqeverisje ka tre partnerë të partive shqiptare: BDI, Alternativa dhe PDSH.