8.5 C
Tetovo
E shtunë, 1 Nëntor, 2025
BallinaOpinionAfrim Fanda / MICKOVSKI KËRKON VOTA NGA SHQIPTARËT JO PËR TË DËNUAR...

Afrim Fanda / MICKOVSKI KËRKON VOTA NGA SHQIPTARËT JO PËR TË DËNUAR ALI AHMETIN, POR PËR TË DËNUAR SHQIPTARËT PËR LUFTËN QË BËNË MË 2001!

Tani që raundi i dytë i zgjdhjeve lokale po afrohet, maskat ranë dhe e vërteta doli në Shesh.

I bindur se fitoren e ka në dorë, i trimëruar nga ujdia me Turqinë dhe mbështetja e Serbisë dhe qeverisë së Kosovës, kryeministri Mickovski doli hapur me synimin e tij që me ndihmën e jeniçerëve të LVV-LEN „ të kthejë krenarinë e Maqedonisë“ në qytetet e „Maqedonisë Perëndimore“, „të okupuara“ gjatë luftës së 2001 nga „banditët frikacakë“ të UÇK-së. Ushtri e cila sipas Mickovskit bëri “luftë frikacakësh, të paarsyeshme dhe jo të drejtë, duke vrarë nga prita, („në pabesi“) pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë“.

Tanimë është më se e qartë për gjithë ata shqiptarë që duan të kuptojnë, se synimi i Mickovskit nuk është vënia në vend e drejtësisë duke ndëshkuar korrupsionin e përfaqësuesve politik shqiptarë. Sepse po të kishte këtë synim të sinqertë, ai tanimë do ta kishte vënë në pranga Izet Mexhitin për legalizimin e paligjshëm të ndërtimeve pa leje në Çair. Do ta kishte vënë në pranga Bilall Kasamin për shitjen e „Monopolit“ në Tetovë me çmim 70 den/m2 një firme në falimentim, që pastaj ta stërshiste atë përmes kësaj firme për 5 milion EUR. Kjo nuk ndodh sepse Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe mercenarët e tjerë të LVV-Len shërbejnë Mickovskit, ndaj korrupsioni i tyre është i lejuar. Ndërsa „faji“ i Ali Ahmetit dhe ministrave të tij është se i shërbyen Zoran Zajevit, dhe kjo në këtë moment është „e dënueshme“. Përveç kësaj, Mickovski dhe mercenarët e tij të LVV-LEN nuk janë të interesuar per të dënuar Ali Ahmetin dhe ministrat e e tij për veprimtarinë korruptive të tyre. Kjo sepse Ali Ahmeti vetëm para pak ditësh siguroi opinionin „maqedonas“ se ai është për Maqedoninë unitare, ku „maqedonasit“ janë pronarë të shtetit, e shqiptarët mysafirë në shpi të tyre. Ndërkohë që Bujar Osmani krenohej se për identitetin dhe gjuhën „maqedonase“ që ngrihet mbi trojet dhe gjakun e shqiptarëve, ka bërë më shum se vet „maqedonasit“. E sa për ministrat e tjerë të Ali Ahmetit, Mickovski i prangos kur ti dojë qefi.

Synimi i vërtetë i Mickovskit dhe mercenarëve të LVV-LEN është që korrupsionin e Ali Ahmetit dhe të ministrave të tij ta përdorin si argument dhe pretekst për të dënuar shqiptarët për luftën që bënë në vitin 2001. Luftë të cilën Mickovski e quan „luftë frikacakësh“ që lënduan „krenarinë e Maqedonisë“, të cilën ai u zotua se do të kthejë me ardhjen e tij në pushtet. Ndaj ai dhe mercenarët e tij të LVV-LEN gjatë gjithë kohës deklarojnë se „BDI duhet zhdukur nga skena politike“, sepse është pengesë për „Maqedoninë krenare“ e njëkohësisht edhe „shembull i keq“ për shqiptarët, të cilët ata i duan të urtë dhe të nënshtruar.

Ndaj në fjalimin e tij me rastin e akademisë solemne për përkujtimin e „Ditës së luftës revolucionare maqedonase – 23 tetori“, nga aroganca dhe padurimi, Mickovski nuk nguroi që t’i nxirte zbuluar edhe vazalët e tij në koalicion zgjedhor – LVV, LB, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, duke u’a kujtuar hapur, publikisht se në raundin e parë fituan në disa komuna dhe arritën epërsi në disa të tjera falë votave të „dhuruara“ nga VMRO, duke kërkuar publikisht vlerësim, dëgjueshmëri dhe bindje, por edhe duke i kërcënuar publikisht se „mund ti gjejë ajo që e gjeti Ali Zajasin!…

Modelin e shqiptarit të cilin Mickovski ua ofroi shqiptarëve në këtë fjalim, është modeli mercenarit të LVV-LEN: shqiptar i përlur, i nënshtruar i cili kërkon vetëm të hajë, të pijë dhe të falet. Shqiptar i cili harron shpejt dajakun dhe ul kokën duke e njohur për zot shpije Mickovskin, duke e falenderuar atë që e lejon të jetojë në “Maqedoninë e tij krenare”.

Mickovski e do modelin shqiptares si ajo e Lindita JOVANOVSKËS në Kërçovë, për të lindur e për të rritur fëmijë “maqedonas”. Ashtu siç do edhe modelin shqiptarit si ai i Fatmir Limanit, i cili në Stamboll siguroi Erdoganin e në Shkup Mickovskin, se nuk do të luftojë për komb si babai i tij, por për islamin politik në shërbim të Mickovskit. Ashtu siç do modelin e shqiptarit të Mendi Qyrës, Bekim Qokut, Bilall Kasamit, Izet Mexhiti… të cilët ndjekin këshillat e shovinistit dhe antishqiptarit Mickovski se “me tema etnocentrike nuk do të fitojnë gjë në politikë”, ndaj lanë anash „problemet etnike që i ndajnë me maqedonasit“ dhe u bënë bashkë me VMRO për të „përkrahur vlera në vend se të ndahen me ta për tema dhe çështje etnike“. Në të kundërtën, siç deklaroi Mickovski „nuk do të gjente asnjë dallim mes tyre dhe Ali Ahmetit, të cilin ata duan ta zëvendësojnë“.

Dhe mu për këtë, sot e veçanërisht në këto zgjedhje shqiptarët duhet të mendojnë etnikisht, kombëtarisht, për të zbrapsur këto synime shoviniste antishqiptare të Mickovkit, jo vetëm duke mos votuar kandidatët e tij “maqedonas”, por edhe asnjë mercenar të tij në LVV-LEN të cilët janë vënë në shërbim të Mickovskit për të ndërtuar shqiptarin pa vetëdije kolektive kombëtare, pa dinjitet njerëzor dhe kombëtar, që mendon vetëm për të ngrënë e për të pirë…

Pikërisht tani është koha për të menduar etnikisht, kombëtarisht, sepse me vonë do të bëhet gjithnjë më e vështirë!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments