Zhurma histerike e Kristijan Mickovskit dhe VMRO-së i cili shpalli luftë edhe BE-së në mbrojtje të “identitetit maqedonas”nuk është një “kauzë” e drejtë dhe e ligjshme që duhet mbëshetur, aq më pak nga shqiptarët. Identiteti “maqedonas” është thjesht projekt i hershëm i “Botës Serbe”, dhe si i tillë, bashkë me projektin neootoman të Erdoganit, shpesh të koordinuar mes tyre, përfaqësojnë kërcënimin më serioz për gjithe rajonin, e në veçanti për qenien kombëtare dhe për të ardhmen e shqiptarëve autoktonë në këto territore. Kjo për faktin se ata që më së shumti u dëmtuan dhe vazhdojnë të dëmtohen nga ky projekt janë shqiptarët, mbi gjakun e të cilëve, partizanët serbë në vitin 1945 ndërtuan shtetin të cilin e quajtën “Maqedoni”.
Por çfarë qëndrimi mban klasa politike shiptare lidhur me këtë çështje?
Vet emri i popullit të sajuar “maqedonas” dhe shtetit “Maqedoni” për sllavët që në Gadishullin Ilirik erdhën 8 shekuj pasi shteti i Maqedonisë pushoi së ekzistuari pas pushtimit nga romakët në vitin 146 p.e.s, përfaqëson “argument” në duart e serbëve për pretendime territoriale ndaj territoreve me të njëjtin emër në Greqi dhe Bullgari (Maqedonia Pirine), dikur pjesë të Maqedonisë Antike.
Në fakt, pjesa më e madhe e zonës gjeografike të Maqedonisë antike, ndodhet në Greqi, rajon administrativ që edhe zyrtarisht quhet “Maqedoni” i përbërë nga Periferia e Maqedonisë Qendrore – me qytetin Selanik si qendër, Maqedonia Perëndimore – që përfshin qytete si Kozani, Florina, Kastoria dhe Maqedonia Lindore dhe Thrakia – që përfshin pjesën lindore të Maqedonisë historike (p.sh. Kavala, Drama, Serres).
Nisur nga ky fakt, klasa politike e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme greke, në mbrojtje të interesave kombëtare greke, detyruan hajdutët e identiteti “maqedonas” të ndërrojnë dy herë emrin: herrën e parë në “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM)” dhe më vonë, në vitin 2018, përmes ndryshimeve kushtetuese të imponuara me Marrëveshjen e Prespës, Greqia imponoi emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” me kusht që ky shtet nuk do të pretendojë trashëgiminë e Maqedonisë antike greke, e cila ndodhet kryesisht në Greqi.
Tanimë është fakt historik dhe shkencor, i pranuar përmes deklaratave të shumta publike nga vet shkenctarë dhe politikanë të shumtë “maqedonas”, se gjuha dhe historia “maqedonase” është në fakt bullgare:
Denko Maleski (Akademik, ministër i parë i jashtëm i RMV): “Identiteti i veçantë maqedonas është një konstrukt politik i pas Luftës së Dytë Botërore… gjuha maqedonase është standardizuar nga serbokroatishtja dhe bullgarishtja… maqedonasit dhe bullgarët ndanin një histori dhe identitet të përbashkët para formimit të Jugosllavisë.”
Ljubço Georgievski (ish-kryeministër, VMRO-Popullore): “Ne s’mund t’i mohojmë rrënjët tona të përbashkëta me bullgarët… Gjatë shekujve, maqedonasit janë identifikuar si bullgarë në shumë dokumente historike.”
Ljubomir Frçkovski (ish-ministër, diplomat): “Krijimi i identitetit të ri maqedonas pas 1945-s ishte një projekt i ri politik… gjuha maqedonase është produkt i rrethanave politike, e jo ndarje etnolinguistike e qartë.”
Krste Crvenkovski (Ish-funksionar i lartë i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në Maqedoni): Në shënime të brendshme dhe ditarë politikë, është cituar të ketë pranuar se identiteti maqedonas u ndërtua politikisht për të ndarë popullsinë sllave të Maqedonisë nga Bullgaria.
Blaze Ristovski (akademik, historian): “Shumë nga figurat që sot i quajmë maqedonase në të vërtetë janë identifikuar si bullgarë në dokumentet e kohës së tyre.”
Gjorgji Spasov (profesor, analist, ish-politikan): “Historia e përbashkët me Bullgarinë është fakt, jo pretendim politik.”
Aleksandar Panov (diplomat dhe profesor): “Është e pamundur të mohohet se një pjesë e madhe e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore është e përbashkët me bullgarët. Gjuha standarde maqedonase është ndërtuar mbi bazë të bullgarishtes lindore.”
Nisur nga ky fakt, klasa politike e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme bullgare, në mbrojtje të interesave kombëtare bullgare, veçanërisht pas vitit 1991 kur u krijua Republika e Maqedonisë si shtet i pavarur, ndërmori disa masa politike, diplomatike dhe institucionale për të mbrojtur atë që e konsideron si trashëgimi historike dhe gjuhësore bullgare. Përmes diplomacisë në Bruksel, Bullgaria ka paraqitur dokumente historike, letra dhe deklarata që provojnë se gjuha maqedonase është thjesht një variant i standardizuar i bullgarishtes lindore, i krijuar në Jugosllavi pas 1945; se shumë figura historike janë pjesë e trashëgimisë bullgare, të cilët në shumë dokumente identifikoheshin si bullgarë; se krijimi i një identiteti maqedonas ishte një projekt politik i Titos për të dobësuar ndikimin bullgar në Jugosllavi. Nisur nga këto fakte, në dhjetor 2020, Bullgaria vuri veto ndaj hapjes së negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut duke kushtëzuar Shkupin për të pranuar gjuhën dhe historinë e përbashkët si dhe ndryshimet kushtetuese për të njohur kushtetutshmërisht pakicën bullgare në vend si një komunitet themelues, me të drejta të barabarta. Madje pak ditë më parë, Bullgaria arriti të bindë 461 deputetë të Parlamentit Evropion që të votojnë raportin për “Maqedoninë e Veriut” pa termat gjuhë dhe identitet “maqedonas”.
Po çfarë bëri klasa politike shqiptare për të mbrojtur interesat kombëtare të shqiptarëve në ish Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë?
Thjesht asgjë!?
Përfaqësuesit politik të shqiptarëve në R e Shqipërisë, R e Kosovës, dhe në “Maqedoninë e Veriut” kanë qenë më të shqetësuar për integritetin territorial të Maqedonisë, në funksion të stabilitetit të rajonit, se sa për statusin e shqiptarëve në këtë shtet.
Kështu, Shqipëria nën udhëheqjen e Sali Berishës ishte ndër shtetet e para që njohu Republikën e Maqedonisë (atëherë FYROM) pas shpalljes së pavarësisë nga Jugosllavia më 1991. Duhet theksuar se pyetësori zyrtar për referendumin për pavarësi, që u mbajt më 8 shtator 1991 me përmbajtje “A jeni për një Maqedoni sovrane dhe të pavarur, me të drejtë për të hyrë në një aleancë të ardhshme të SHTETEVE SOVRANE TË JUGOSLLAVISË?”, ishte formuluar në mënyrë diplomatike, jo si një shkëputje e plotë nga Jugosllavia, por me mundësi për një konfederatë të ardhshme, kuptohet, me Serbinë.
Edi Rama madje, në vitin 2022 akuzoi BE-në se “vetoja bullgare ndaj Maqedonisë është një absurditet i BE-së, e padrejtë ndaj një vendi që ka bërë gjithçka për të ecur përpara.”
Sot, Albin Kurti, përmes mercenarëve të VLEN në qeverinë e Mickovskit, është vënë në shërbim të mbrojtjes së identitetit të vjedhur “maqedons”, në zbatim të projektit të “Botës Serbe”, në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve, në veçanti të atyre në Maqedoninë Perëndimore.
Ndërkohë Bujar Osmani, ish minister i jashtëm nga rradhët e BDI, tani nënkryetar i BDI, i akuzuar nga kryeministri Mickovski, se ka negocijuar dhe shitur identitetin dhe gjuhen e tij “maqedonase”, mbrohej se se ai si minister I jashtëm, ka bërë më shum se çdokush tjetër për identitetin “maqedonas”.
Në intervistën e tij të fundit në Kanal 5 në gjuhën “maqedonase”, Bujar Osmani deklaroi se “qytetarët (duke futur këtu edhe shqiptarët) janë me të drejtë të zemëruar pas Raportit të miratuar për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, por pa termat gjuhë dhe identitet maqedonas. Ai beson se na poshtëruan, “të gjithë qytetarët, maqedonasit, shteti u anulua…”.
Jeni ju bashkëkombas të mi “të zemëruar” dhe “të poshtëruar” pas Raportit të miratuar për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, por pa termat gjuhë dhe identitet maqedonas, siç deklaroi Bujar Osmani?
Unë jo! Madje ndjehem optimist për faktin që deputetët e parlamentit evropian, bënë me të drejtë atë që nuk e bënë Bujar Osmani dhe përfaqësuesit e tjerë politik të shqiptarëve – zgjodhën të përkrahin të vërtetën në vend të mashtrimit!