Udhëtimi supersonik po i afrohet realitetit, pas një prove të suksesshme nga një kompani e re në Teksas, e cila premtoi se një ditë mund të dërgojë pasagjerët nga Nju Jorku në Paris në vetëm 55 minuta.
Venus Aerospace përfundoi testin e parë atmosferik në botë të një motori raketor (RDRE), një sistem shtytës i përparuar që përdor shpërthime rrotulluese në vend të djegies së qëndrueshme për të gjeneruar shtytje.
Testi u zhvillua të mërkurën, më 14 maj, në Spaceport America në New Mexico, ku një raketë e vogël e pajisur me motorin e ri u ngrit në orën 7:37 të mëngjesit.
CEO-ja e Venus, Sassie Duggleby, tha: “Ky është momenti për të cilin kemi punuar për pesë vjet”.
Kompania planifikon të përdorë motorin për aeroplanin e saj të ardhshëm hipersonik, Stargazer, i cili pritet të arrijë Mach 4 (4,939 kmh), katër herë më shpejtë sesa shpejtësia e zërit.
Nëse miratohet për udhëtime komerciale, aeroplani prej 33 milionë dollarësh mund të përfundojë udhëtimin prej 5,833 kilometrash midis Nju Jorkut dhe Parisit në më pak se një orë, gati tre herë më shpejt se Concorde, i cili fluturonte me 2,179 kmh. Fluturimi aktual zgjat rreth tetë orë.
Venus Aerospace synon ta lansojë aeroplanin në fillim të viteve 2030, me plane për të transportuar deri në 12 pasagjerë për fluturim.
Krahasuar me motorët tradicionalë të raketave, RDRE-të ofrojnë efikasitet dhe kompaktësi të përmirësuar, duke i bërë ato veçanërisht të përshtatshme për aplikime të avancuara hapësinore.
“Ne kemi vërtetuar se kjo teknologji funksionon – jo vetëm në simulime ose laborator, por edhe në ajër”, tha Duggleby.
“Me këtë moment historik, ne jemi një hap më afër bërjes së fluturimit me shpejtësi të lartë të arritshëm, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm”, shtoi ai.
E teorizuar që nga vitet e 80-ta, një RDRE me shtytje të lartë i aftë për zbatim praktik nuk është fluturuar kurrë në një provë në botën reale.
Andrew Duggleby, bashkëthemelues dhe drejtor i teknologjisë, tha: “Detonimi rrotullues ka qenë një përmirësim i kërkuar prej kohësh në performancë. Venus RDRE zgjidhi hapat e fundit, por kritikë, për të shfrytëzuar përfitimet teorike të djegies me shtim presioni. Ne kemi ndërtuar një motor që jo vetëm funksionon, por funksionon në mënyrë të besueshme dhe efikase”.