Ata që këtu paraqiten si organizatorë janë bartës të një subjekti politik që ka qenë në qeveri për 22 vite, periudhë gjatë së cilës kanë ndodhur burgosje të montuara dhe vrasje të komandantëve. Në asnjë rast ata nuk kanë marrë pjesë në protestat që ne i kemi organizuar atëherë si shoqëri civile, e aq më pak tani, kur janë opozitë e falimentuar dhe nuk dinë si të krijojnë një kauzë. Tani po përpiqen që një kauzë dhe një vlerë të madhe kombëtare ta keqpërdorin për përfitime politike, duke dalë në ballë të protestës.
Ne absolutisht mbështesim çdo lloj proteste. Kemi qenë kundër vendimit për themelimin e Gjykatës Speciale dhe jemi kundër dënimit të luftës së UÇK-së, luftës së drejtë çlirimtare dhe komandantëve që kanë qenë organizatorë të saj.
Çdo protestë që bëhet në emër të UÇK-së, për mua personalisht, etaloni i UÇK-së është familja Jashari. Përderisa ata nuk janë në ballë të një proteste të tillë, unë gjithmonë kam dilemat e mia, sepse pas këtyre organizimeve shpesh fshihen keqpërdorime dhe tentativa për të shfrytëzuar një vlerë kombëtare për interesa të ulëta politike. Sidomos kjo që po ndodh tani në Maqedoni, me BDI-në në krye.
