Administrata e Prokurorisë Publike vazhdon grevën me kërkesën për rritjen e pagave për 78 për qind dhe kthimin e shtesës në pagë prej 35 për qind. Mirëpresin vendimin për formimin e grupit të punës.
“Presim që grupi I punës të fillojë me punë në afat prej 7 ditëve, vetëm duam t’i njoftojmë se në takimin e parë do të kërkojmë definim të afateve, ai grup pune ta përfundojë punën më së shumti për 10 ditë pune. Nëse nuk merremi vesh dhe nuk I pranojnë kushtet tona, greva do të vazhdojë në mënyrë më rigoroze dhe nuk do të bëhet asnjë punë në prokurori. Presim që nëse nuk merremi vesh, kësaj greve ti bashkëngjiten edhe kolegët e gjykatave dhe kolegët avokatë, që do të nënkuptonte se i gjithë gjyqësori nuk do të kryej asnjë detyrë”, deklaroi Tërpe Deanoski, kryetar i SPOGJ.
Sindikalistët nënvizojnë se nuk do të pranojnë pazare dhe nuk do të heqin dorë prej kërkesave të tyre.
“Porosinë e dytë do ta dërgonim te Ministri I Financave, domethënë nëse mendojnë se do të fillojmë të bëjmë Pazar për rritje të pagës për 5 apo 10 përqind, aspak të mos fillojmë. Kërkesat janë rritje prej 78 përqind me 35 përqind shtesa në paga, le ta kuptojnë seriozisht këtë, nuk do të lëshojmë pe… Më së shumti dhjetë ditë japim për bisedime dhe nëse asgjë nuk del prej kësaj, greva do të jetë Akoma më rigoroze”, u shpreh Izabella Ilieva, Kryetare e Organizatës sindikale të Prokurorëve Publik.
Qeveria vendosi që në afat prej 7 ditëve të formohet grup pune të përbërë nga ministri i financave, ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, ministri i drejtësisë, zv kryeministri për çështje ekonomike, dhe përfaqësuesit e sindikatës SPOGJ, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me kërkesat e punonjësve të gjykatës, prokurorisë publike dhe organeve të administratës shtetërore. /Alsat.mk