SQARIM:
Ky koment është bërë mbi shkrimin e profesorit Fatmir Sulejmani, në faqen tij personale në fb, në të cilin autori nuk trajton probleme të arsimit, as të punës dhe veprimtarisë së Universitetit të Tetovës, por çështje historike dhe aktuale të gjuhës shqipe.
TEZAT E GABUARA DHE TË PAMATURA NUK I SHËRBEJNË TË VËRTETËS DHE INTERESIT KOMBËTAR
“…Kiro Gligorovi i dha vizë themelimit të UT-së, ama ajo të ndodhë në Tetovë, si preventivë për ta mbrojtur Shkupin nga albanizimi universitar.”
(Prof. dr. Tahir Zajazi)
Një pedagog i mirë dhe me përvojë, me veprimtari arsimore, pedagogjike, kulturore dhe shkencore të shtrirë në disa dekada, si kontribuues edhe për themelimin dhe si profesor ndër të parët në Universitetin e Tetovës, nuk guxon të paraqesë teza të këtilla, që nuk përkojnë me realitetin, janë të pavërteta dhe nuk i shërbejnë interesit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni, sot dhe në të ardhmen.
Nga një bashkëbisedim në lidhje me shkrimin e profesor Fatmir Sulejmanit, me titull “Heroi i përbuzur“, e zhvilluar në faqen personale në fb, profesor Tahir Zajazi, përmes një komenti, përveç përshtypjeve dhe sugjerimeve në lidhje me këtë shkrim, mes tjerash e ndërfut një tezë të gabueshme dhe tendencioze, që ka të bëjë me të kaluarën e shqiptarëve në Maqedoni, me përpjekjet e tyre për arsimim universitar në gjuhën amtare në Maqedoni , sidomos për Universitetin e Tetovës, ku mes tjerash thotë: “…Kiro Gligorovi, akoma në kohë kur i dha vizë themelimit të UT-së, ama ajo të ndodhë në Tetovë, si preventivë për ta mbrojtur Shkupin nga albanizimi universitar.”
Meqë nuk e kam shprehi të komentoj në faqet e të tjerëve, në lidhje me këtë çështje lexuesve ua paraqes komentet e plota të bashkëbiseduesve, me qëllim të sqarimit në pika të shkurta të kësaj teze të gabueshme, të pavërtetë dhe tendencioze, siç e paraqet profesor Tahir Zajazi përmes komentit të tij.
E para, nuk është e vërtetë se Kiro Gligorovi, kryetar shteti i asaj kohe i Republikës së Maqedonisë (në detyrë: 27 janar 1991 – 19 nëntor 1999), që paska dhënë “vizë” apo pëlqim për themelimin e Universitetit të Tetovës (1994), as ndonjë organ tjetër i pushtetit të asaj kohe. Nëse do të ishte ashtu, pse pushteti ushtroi aq shumë dhunë e terror, e përgjaku këtë Universitet që në hapat e parë të punës së tij, ndërsa njohja zyrtare e këtij Universiteti të ndodhë pas plot dhjetë vjetësh të veprimtarisë së Universitetit (2004), kur tanimë pushteti i kishte dorëzuar armët përballë kësaj ideje dhe projekti kombëtar, intelektual dhe qytetërues të shqiptarëve në Maqedoni?
E dyta, nuk është e vërtetë se hapja e Universitetit të Tetovës, në Tetovë e jo në Shkup, ka ndodhur për shkak të “anashkalimit të Shkupit shqiptar, që i shkon për shtati ideologjisë së Kiro Gligorovit”, por kanë qenë shkaqe dhe rrethana të tjera të imponuara, që nuk janë më ndryshe as sot, për shkak të politikave armiqësore të ish-regjimit komunist jugosllav dhe të regjimit të periudhës së pluralizmit dhe tranzicionit demokratik (1990-1994), nga padija apo shitja e interesave të popullit shqiptar edhe nga klasa politike e tij dhe një pjesë e intelektualëve shkurtpamës dhe oportunistë gjatë asaj periudhe.
Me Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, më vonë Universiteti i Tetovës, si autor i këtij dokumenti strategjik, jo vetëm për realizimin e të drejtës për arsimim të lartë universitar të shqiptarëve në gjuhën amtare, por edhe për avancimin e statusit juridik-kushtetues të popullit shqiptar, të sakatuar nga pushteti edhe nga faktori politik shqiptar i kohës përmes Kushtetutës së vitit 1991, si dhe për avancimin e statusit të gjuhës shqipe në këtë shtet, me asgjë nuk është dëmtuar interesi kombëtar i shqiptarëve në këtë shtet, as është hequr dorë nga Shkupi apo qytetet tjera, përkundrazi, me hapa konkret është realizuar ky interes i përgjithshëm në tërë hapësirën etnike shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm.
Për saktësim të kësaj, me themelimin e Universitetit të Tetovës janë hapur rrugë dhe mundësi për hapjen më vonë edhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, në Tetovë, Shkup, Kumanovë, Gostivar, Strugë dhe qytete të tjera. Me këtë Platformë nuk është kërkuar të ndërpritet as puna e Komisionit Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, pjesë e të cilit ka qenë edhe profesor Tahir Zajazi; as hapja e Fakultetit të Shkencave Islame, në vitin 1995, me ndërhyrjen e pushtetit, për ta shkëputur Fakultetit Teologjik të Studimeve Islame, të paraparë si njësi akademike në kuadër të Universitetit të Tetovës; për hapjen e disa studimeve nga fakultetet e Universitetit të Tetovës në Shkup, pas njohjes zyrtare të tij; as është penguar iniciativa, 22 vjet më vonë, për hapjen e Universitetit “Nënë Tereza”, me seli në Shkup, siç nuk ka qenë e penguar hapja e Universitetit të Evropër Juglindore, po në Tetovë në vitin 2001 (Komisioneri i lartë i OSBE-së për pakicat kombëtare, Max van der Stoel e ka iniciuar themelimin e një universiteti të ri në Republikën e Maqedonisë); përkundrazi, ky projekt kombëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës ka hapur shtigje dhe perspektiva të reja për ngritjen arsimore, shkencore, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve, për afirmimin ndërkombëtar të çështjes kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe për zgjidhjen e drejtë e përfundimtare të saj.
Pa këtë projekt dhe strategji kombëtare, pa themelimin e Universitetit të Tetovës, institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, as dhjetëra parti politike së bashku, as dhjetëra kryengritje të armatosura të shqiptarëve, as dëshirat tona të mira, patriotizmi i rrejshëm dhe lavdet, nuk do ta kishin shpëtuar këtë popull nga gjendja ku e kishin sjellë pushtetet okupatore dhe sundimet e huaja, por dhe klasa politike e tij dhe intelektualët e papërgjegjshëm, deri në vitin 1994. Profesor Tahir Zajazi e din këtë çështje më mirë se shumë tjerë, meqë në vitet 1991-1994 shqiptarët në Maqedoni nuk kanë pasur kuadër të mjaftueshëm as për mësues dhe arsimtarë të lëndëve mësimore në shkollat fillore dhe të mesme, sidomos me pensionimin e kuadrit të mëparshëm, jo më kuadër të nevojshëm për ekonomi, shëndetësi, administratë apo udhëheqjen e institucioneve të shtetit.
Për ta parë më qartë këtë situatë, sa ka ndikuar hapja e Universitetit të Tetovës, mjafton sot t’u hidhni një sy kuadrove të sotëm shqiptarë në institucionet e pushtetit, listave të deputetëve dhe kuadrove të tjerë, të ministrave, zëvendësministrave, drejtorëve dhe kuadrit profesional në organet e pushtetit dhe institucionet e shtetit, që të bindeni se cili është ndikimi i këtij Revolucioni të madh kulturor e kombëtar i shqiptarëve në Maqedoni, pa të cilin rruga e nënshtrimit dhe asimilimit do ishte një hap i shkurtë i pushtetit ndaj shqiptarëve, sidomos i strategjisë shoviniste dhe ideologjisë së Kiro Gligorovit dhe miqve të tij.
Kjo klasë e re politike dhe intelektuale, që sot po ngrihet dalëngadalë dhe fuqishëm në skenë dhe në pushtet, nuk është prodhuar as në zyrtar e partive politike dhe as kanë ardhur si kuadro të përgatitur nga jashtë, por janë arsimuar dhe brumosur kryesisht në universitet shqiptare në vend, sidomos në Universitetin e Tetovës, falë dijes dhe strategjisë së intelektualëve nacionalistë, të gjakut dhe sakrificave të popullit shqiptar, pa të cilat edhe këto kuadro do ta kishin fatin e shumicës së shqiptarëve të tjerë të gjeneratave të tyre, të shkapërderdhur si zogjtë e qyqes në të katër anët e botës. Do të ishte mirë nganjëherë t’i kthehemi të kaluarës, t’i shpalosim faqet e historisë, statistikat dhe dëshmitë tronditëse për fatin e shqiptarëve në Maqedoni nga e kaluara e tyre jo e largët, që edhe sot i vuajnë në shumë forma.
E përsëris për të satën herë dhe mburrem me këtë, jashtë modestisë time, se nuk ka mundur askush të flet përpara meje dhe pa e ditur unë, në lidhje me hapjen e Universitetit të Tetovës, as Rektori i parë apo ndonjë autoritet tjetër nga Universiteti gjatë asaj kohe, aq më pak të kenë kërkuar “vizë” apo pëlqim nga pushteti i atëhershëm në Maqedoni, as nga personalitete si Gligorovi, Andovi, Klusevi apo Fërçkovski, si dhe surrogatet shqiptarë në prehrin e tyre, siç ka ngjarë me takimet dhe bisedimet e Komisionit për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në Shkup, për realizimin e iniciativës së tyre, pjesë e së cilës ka qenë edhe profesor Tahir Zajazi, jo për hapjen e Universitetit të Tetovës, si dhe përpjekjet e mëvonshme të disa klaneve politike dhe intelektuale të shqiptarëve për rehabilitim e këtyre figurave të pushtetit të atëhershëm të Maqedonisë, dikur njerëz të pushtetshëm që zbrazën helm e plumba mbi shqiptarët për çështje e arsimimit të tyre në gjuhën amtare (fotografitë dhe faktet nuk i publikojmë me këtë rast për shkaqe etike).
Në një distancë kohore prej shumë vitesh, edhe këto personalitete kanë tentuar t’i kërkojnë falje popullit shqiptar për qëndrimet e tyre të gabuara dhe armiqësore në lidhje me të drejtat e mohuara e të nëpërkëmbura të shqiptarëve, sidomos për qëndrimin e tyre tepër armiqësor ndaj Universitetit të Tetovës. Ka plot dëshmi të shkruara për këtë, por, a mund të bëhet gjaku ujë dhe të falen këto krime ndaj shqiptarëve dhe qenies së tyre kombëtare, këtë do ta vlerësojë historia.
Përkundër kësaj, në asnjë rast nuk kam lexuar deri më sot, që një shqiptar i pozicionuar keq gjatë asaj periudhe, pushtetar, politikan apo intelektual, të ketë kërkuar falje për qëndrimin negativ ndaj këtij projekti kombëtar, Universitetit të Tetovës. Vetëm ne shqiptarët kemi prirje ta harrojmë të kaluarën dhe faktet, sikur gazetat, arkivat dhe dokumentet e shkruara, dëshmitë për të kaluarën tonë të mos ekzistonin dhe historia jonë të fillojë të shkruhet gjithmonë nga e para.
Për fund, në vend të përkujtimit, e kam për obligim ta them se, Shkupi dhe shkupjanët i kanë dhënë shumë Universitetit të Tetovës, siç u ka dhënë edhe Universiteti atyre, që nga dëshmori i arsimit, arsimtari Milaim Mehmeti, i pushkatuar nga policia speciale e shtetit në Shkup, më 14 dhjetor 1994, në ditën e ndërhyrjes brutale të pushtetit për shkatërrimin e objekteve dhe ndalimin e aktiviteteve të Universitetit të Tetovës, në bazë të vendimit të Qeverisë së asaj kohe, disa ditë para fillimit të procesit mësimor dhe të punës së këtij Universiteti.
Dhe sidomos, pa harruar se dokumenti strategjik, që e kam hartuar unë, e ka mbajtur dhe e mban emrin: “Platformë për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni”, si për Shkupin e Tetovën edhe për të gjitha qytetet dhe vendbanimet tjera, për shqiptarët e Maqedonisë dhe jo vetëm, që u ka dhënë përgjigje historike shovinizmit, ideologjive të huaja dhe robërisë mendore e fizike të shqiptarëve në këtë shtet, përfshirë edhe politikat armiqësore ndaj shqiptarëve nga pushtetarët dhe bashkëmendimtarët e këtyre që i përmend profesori Tahir Zajazi në komentin e tij.
Shënim: këto komente publikohen pa ndërhyrje në përmbajtjen e tyre.
* * *
Komentet nga faqja personale e Fatmir Sulejmanit në fb:
Tahir Zajazi: Shkolla eshte force e mbartjes se vlerave midis gjeneratave ose thjeshte, gjuha eshte pasqyre e shkolles. Asaj kohe kaloja midis studenteve, qellimisht per te observuar gjuhen qe flisnin ata dhe me tingellonte si te isha midis nje turme (te mos i them fshatare) te ardhur nga gjithandej regjioneve shqiptare, ku secili fliste ne dialektin e vet, ama banal !!!! Mjerim, a po Fatmir? Nje verejtje miqesore qe vlen, bile edhe per partite politike shqiptare. Gjat nominit te pikave shqipe, thuaje: Tirana, Prishtina Shkupi. Tetoven aty e ke. Anashkalimi i Shkupit shqiptar i shkon pershtat ideologjise se Kiro Gligorovit, akoma ne kohe kur i dha vize themelimit te UT-se, ama ajo te ndodhe ne Tetove, si preventive per ta mbrojtur Shkupin nga albanizimi universitar.
Fatmir Sulejmani: Përshëndetje profesor i nderuar. Kur përmend Tetovën, në cilindo kontekst në shkrimet e mia, larg mendsh se e bëj këtë për ta anashkaluar Shkupin shqiptar. Ju e dini këtë, sepse më njihni qysh kur isha studenti juaj në Akademinë Pedagogjike. Sigurisht i dini më mirë se unë edhe arsyet dhe rrethanat pse UT u themelua pikërisht në Tetovë. Me sa më kujtohet, ju keni qen pjesëmarrës në Kuvendin për themelimin e universitetit të parë me mësim në Gjuhën shqipe, që u mbajt në Tetovë më 4 qershor të vitit 1994. Kam qenë dhe unë, por e pranoj: asokohe s’e paskam ditur se themelimit të UT-së në Tetovë i paska dhënë vizë Gligorovi. Shi për këtë, do të bëni mirë sikur këto gjëra t’i trajtoni mirëfilli në shkrimet Tuaja. Me shumë respekt!
* * *
Me mirëkuptim nga autorët e komenteve!
(29.VII.2020)