Është turp për ne, që kjo formë e gabuar e emrit të shtetit në gjuhën shqipe të bëhet pjesë e akteve ligjore, mbishkrimeve, dokumenteve personale dhe pjesë e historisë!
Përdorimi në formë të gabuar i emrit të shtetit, sipas rregullave të gjuhë shqipe, në vend se: Republika e Maqedonisë Veriore, apo Maqedonia Veriore; shkruhet: Republika e Maqedonisë së Veriut, apo Maqedonia e Veriut, e cila është formë jo e drejtë e përdorimit të emrave me përcaktim gjeografik, ndërsa kjo është sikur të shkruhen e përdoren gabimisht emrat personalë dhe mbiemrat, në vend se, Ali Aliu, apo Hasan Hasani, të shkruhen: Aliu i Aliut, apo Hasani i Hasanit, përderisa Aliu nuk është i Aliut, as Hasani i Hasanit, por këto i mbajnë për mbiemra të tyre!
Gjeneratat e ardhshme do të qeshin e tallen me ne, pa fajin tonë, si kemi toleruar të ndodhë një përdhosje e dhunim kaq i madh i gjuhës shqipe, në kohën kur në këtë shtet kanë ekzistuar së paku tre universitete me mësim në gjuhën shqipe, disa katedra të gjuhës shqipe, institute shkencore, shoqata dhe asociacione shkencore dhe profesionale, dhjetëra doktorë të shkencave të gjuhësisë, qindra profesorë, misimdhënës dhe mësues të gjuhës shqipe, si dhe dhjetëra medie në gjuhën shqipe!
Shumica e qyteterëve shqiptarë në Maqedoni për tri dekada me radhë kanë mendur se ka perënduar koha kur politika dhe pushteti kanë vendosur edhe për toponimet, emrat e qyteteve dhe vendbanimeve, si dhe emrat personal të njerëzve, sidomos të fëmijëve shqiptarë. Por, kjo siç duket edhe më tej po bartet në variante të ndryshme përmes individëve të frymëzuar, edukuar dhe rritur me atë mendësi destruktive, kur politika dhe shteti vulosin gjithçka mbi fatin e një populli.
Të mos çuditemi një ditë nëse kjo politikë qorre, me oponentët e saj analfabetë dhe injorantë, do t’ua imponojë shqiptarëve t’i ndryshojnë rregullat e gjuhës amtare të tyre dhe kështu, emrin e Evropës Perëndimore në të ardhmen do ta përdorin si „Evropa e Perëndimit“, të Ballkanit Perëndimor si „Ballkani i Perëndimit“, Universitetin e Evropës Juglindore si „Universiteti i Evropës së Juglindjes“, dhe logjikisht me këto rregulla gjuhësore të kësaj natyre, siç ua imponon politika dhe pushteti i sotëm qytetarëve shqiptarë, të ndryshohen sipas kësaj logjike destruktive edhe emrat personalë të qytetarëve, pse jo edhe të përfaqësuesve politik të tyre, përderisa ata sot heshtin sikur nuk ndodh asgjë, kinse kjo punë kështu duhet të jetë, pa i ditur pasoja e mëvonshme.
Sot, gati secili është në eufori, i entuziazmuar kur shkruhet një mbishkrim edhe në gjuhën shqipe, një tregues rruge, një tabelë, një emër institucioni, duke u mjaftuar që ato shkruhen edhe në gjuhën shqipe, por si shkruhen ato, kjo për momentin nuk u bën shumë përshtypje njerëzve. Është detyrë e intelektualëve, e studiuesve, e ekspertëve të gjuhës shqipe që ta thonë me kohë mendimin e tyre për përdorimin e gabuar të emrit të shtetit sot, në vend se në formë të drejtë: Republika e Maqedonisë Veriore, apo Maqedonia Veriore; në: Republika e Maqedonisë së Veriut, apo Maqedonia e Veriut.
Që ta kuptojnë këtë çështje drejtë, qartë dhe saktë, edhe pushteti e politikanët aktualë, ua përkujtojmë se kjo është njëjtë sikur emrat e tyre personalë dhe mbiemrat në gjuhën shqipe të shkruhen në formë të gabuar, jo të drejtë, të panatyrshme, jo sipas rregullave të gjuhës shqipe, në formën e bastardhur siç është bastardhuar emri i shtetit në gjuhën shqipe, dhe në vend se emrat dhe mbiemrat e tyre të shkruhen drejtë: Zoran Zaev, Stevo Pendarovski, Talat Xhaferi, Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Bilall Kasami, Afrim Gashi, etj., këto emra të shkruhen në formën e re, sipas rregullave të gjuhës të shpikura nga politika, si: Zorani i Zaevit, Stevo i Pendarovskit, Talati i Xhaferit, Aliu i Ahmetit, Ziadini i Selës, Bilalli i Kasamit, Menduhi i Thaçit, Teuta e Arifit, Artani i Grubit, Bujari i Osmanit, etj.
(18.V.2019)