A n a l i z ë
Pse historia duhet t’i paraqesë shqiptarët gjithmonë në rolin e viktimës? Çfarë kanë bërë shqiptarët sipas këtij interpretimi të gabueshëm të historisë, vetëm e paskan ulur kurrizin dhe varur qafën përpara pushtuesve dhe sunduesve të huaj, si edhe ndaj regjimeve jopopullore e jodemokratike të kohës?!
Historiografia duhet të vendosë peshore të saktë, mbi parime shkencore, për vlerësimin e ngjarjeve dhe personaliteteve, me të mirat dhe dobësitë, gabimet dhe devijimet e qëllimshme apo të paqëllimshme. Le të shikojmë si i shkruajnë historitë e tyre popujt tjerë të botës, sidomos popujt fqinjë tanë!
Shqiptarët duhet ta shkruajnë dhe mësojnë historinë e tyre të kaluar, por edhe ta krijojnë, shkruajnë dhe mësojnë historinë e re, krejt ndryshe nga ajo siç e kanë shkruar dhe mësuar deri më sot.
Çfarë na mëson historia e jonë e derisotme, siç na e kanë shkruar dhe interpretuar regjimet jokombëtare dhe të huajit, ndërsa ne e kemi mësuar symbyllur dhe jemi krenuar madje me këtë histori të sajuar e të rrejshme?
Ka qenë tepër e vështirë të shkruhet historia e popullit shqiptar, ngjarjet dhe bëmat e personaliteteve më të shquar të kombit shqiptar, së paku këto dy shekujt e fundit, për shkak të rrethanave në të cilat kanë kaluar shqiptarët nën okupime dhe sundime të huaja; edhe kur u është dhënë rasti të fitojnë pak liri janë detyruar këtë ta gëzojnë në masë dhe me kushte të imponuara nga të huajit, ose nga pushteti i vendit nën kontroll dhe vartësi nga faktorë të jashtëm, varësisht nga interesat strategjike të shteteve të fuqishme që kanë dominuar në periudha të caktuara në rajonin tonë.
Nuk ka qenë dobësi e shqiptarëve që më tepër kanë shkëlqyer si popull dhe si individë në vende të tjera, ku kanë arritur edhe të ngrihen në nivelet më të larta shoqërisë dhe të pushtetit, të udhëheqin luftëra çlirimtare dhe revolucione dhe të krijojnë shtete të huaja, të sundojnë popuj dhe shtete të tjera, por jo edhe të sundojnë në atdheun e tyre.
Gati për të gjitha periudhat e historisë, shqiptarëve u mësohet historia mbrapshtë, pjesa më e errët, më e keqe, më pasaktë, më shtrembëruar dhe falsifikuar, ashtu siç nuk kanë qenë dhe nuk janë zhvilluar ngjarjet, siç nuk kanë dashur dhe vepruar shumë personalitete të kohës, të cilat ne i vazhdojmë t’i ndajmë; disa t’i njohim dhe vlerësojmë si figura të shquara atdhetare dhe si heronj, ndërsa disa të tjerë si mercenarë, kuislingë dhe tradhtarë, realizues të interesave të huaja në shtetin e tyre.
Sa për ilustrim, me këtë rast ju paraqesim dy shembuj më ilustrues, pa qëllim të degradimit ose lartësimit të figurave që përmenden me emra në këto shembuj.
E para, si ka mundësi që gjatë viteve të fundit e përmendim kaq shumë, ia citojmë fjalët, thëniet dhe mendimet njërit nga mendjet dhe penat më brilante të kohës ndër shqiptarët, Faik Konicës, ndërsa në të njëjtën kohë ia përshkruajmë të gjitha të zezat dhe tradhtitë mbretit Ahmet Zogu; ndërkohë që faktet janë të pamohueshme se Konica ka qenë në shërbim dhe vartësi të atij regjimi, diplomat dhe intelektual që gati në secilin fotografi të tij shihet se ka qëndruar përpara fotografisë së mbretit Zogu, të varur në muret e dhomës apo të zyrave të Konicës? Si ka mundësi që kaq tradhtar të ketë qenë mbreti Zogu, ndërsa Faik Konica kaq atdhetar, siç i paraqesim ne sot nga një distancë kohore, pa i analizuar rrethanat dhe faktet. Pse duhet gjithmonë të shikojmë imazhe të këtilla bardhë e zi?
E dyta, si ka mundësi që për tri dekada me radhë, në periudhën e transformimit demokratik, të hedhim kaq baltë dhe të ngremë kaq akuza për udhëheqësit e ish-regjimit komunist, sidomos për prijësin e atij pushteti, Enver Hoxha, ndërkohë të lavdërojmë dhe ngremë për heronj shumë oponentë të atij regjimi, më vonë edhe nga radhët e drejtuesve të lëvizjes demokratike të viteve të nëntëdhjeta në Shqipëri, si dhe të lëvizjes politike të shqiptarëve nga ish-Jugosllavia në mërgatë dhe të drejtuesve të e saj, të cilët në periudhën e demokracisë arritën të ngrihen në majat e poltikës dhe të pushtetit, përmes tyre të shkruhet historia më të re “e lavdishme”, kur dihet se shumica e këtyre figurave kanë qenë pjellë e atij regjimi, të frymëzuar dhe përkrahur me të gjitha mjetet nga ai regjim komunist i Enver Hoxhës, përmes Sigurimit të shtetit dhe përfaqësive diplomatike të shtetit komunist shqiptar, gjithandej në shtetet e Evropës, në SHBA dhe gjetiu, një pjesë e të cilëve rezulton të kenë qenë spiunë dhe agjentë të dyfishtë, duke u shërbyer besnikërisht edhe shërbimeve sekrete jugosllave dhe ruse, si edhe shërbimeve të tjera sekrete të shteteve të fuqishme evropiane dhe jo vetëm?
Si ka mundësi që drejtuesit e një pushteti të shikohen vetëm si tradhtarë, diktatorë, ndërsa përkrahësit, prodhimi dhe krijesat e tij, pasuesit e atij regjimi dhe të asaj ideologjie, marksistë-leninistë dhe neokomunistë të ngjyrave dhe formateve të ndryshme të shikohen dhe vlerësohen vetëm si figura pozitive, sidomos në dritën e ngjarjeve dhe rrjedhave të reja të historisë së popullit shqiptar?
Në këtë histori ka edhe shtrembërime, falsifikime, mashtrime, sajesa dhe tragjedi edhe më të mëdha, të cilat u janë imponuar shqiptarëve t’i lexojnë e mësojnë pa të drejtë, sidomos gjeneratave të reja. Historiografia shqiptare duhet t’i trajtojë këto probleme në mënyrë të paanshme dhe mbi parime shkencore.
Si ka mundësi që shqiptarët të mësojnë dhe të krenohen me këtë histori, siç e kemi shkruar dhe mësuar deri më sot, ku gjithmonë shqiptarët paraqiten si viktima, të vrarë, të masakruar, të burgosur, të përndjekur, të persekutuar; me çka krijohet bindja se ky fat që i ka ndjekur shqiptarët deri më sot do të vazhdojë t’i ndjekë edhe në të ardhmen, ndërsa shumë më pak shkruajmë dhe krenohemi me të vërtetën, me ngjarjet e vërteta dhe personalitetet e merituar, atdhetarë e të pakomprometuar, si edhe me heroizmin dhe rezistencën në vazhdimësi të shqiptarëve kundër okupatorëve dhe sunduesve të huaj, edhe kundër regjimeve jodemokratike vendëse, qoftë si individë apo si popull.
Si ka mundësi që e tërë periudha sundimit osman në trojet shqiptare të vlerësohet si armiqësore dhe antikombëtare, ndërsa shumica e figurave historike të asaj periudhe të vlerësohen si atdhetarë dhe në shërbim të kombit, më vonë edhe të Shtetit të Pavarur Shqiptar?
Si ka mundësi që e tërë periudha e okupimit fashist në trojet shqiptare të vlerësohet si armiqësore dhe antikombëtare, ndërsa shumica e figurave shqiptare të asaj periudhe të vlerësohen si atdhetarë dhe në shërbim të kombit, nën Mbretërinë Shqiptare të Viktor Emanuelit III dhe të Musolinit?
Si ka mundësi që, e tërë periudha e regjimit komunist në trojet shqiptare të vlerësohet si diktaturë, armiqësore dhe antikombëtare, ndërsa shumë figura politike, publike dhe intelektuale të asaj periudhe të vlerësohen si atdhetarë dhe në shërbim të kombit, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, apo nën atë jugosllav të Rankoviqit dhe të Titos?
Si ka mundësi edhe sot, që e tërë periudha e përpjekjeve, e luftës për liri dhe bashkim kombëtar në trojet shqiptare, nga viti 1943 e deri më sot, të vlerësohet si lëvizje kombëtare, shumica e figurave të kësaj periudhe të vlerësohen si atdhetarë në shërbim të kombit e të atdheut, ndërsa edhe pas tridhjetë vjet demokracie në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, në viset tjera shqiptare dhe në Mërgatë, përderisa ende nuk janë hapur arkivat dhe dosjet e shërbimeve sekrete, vendëse dhe të huaja, që krijon përshtypjen sikur bota shqiptare asnjëherë nuk ka qenë e prekur nga viruset e agjenturave dhe të qarqeve antikombëtare?
Çfarë historie është kjo, kur për leximin e veprave të njëfarë Kapllan Resulit(begoviqit), dikur janë përndjekur shumë shqiptarë dhe kanë vuajtur dënime të rënda me vite në burgjet jugosllave, ndërsa veprimtaria e këtij “atdhetari” të ketë qenë gjithmonë në shërbim të interesave serbe, siç e ka dëshmuar edhe vetë ai gjatë viteve të fundit? Ka edhe “mrekulli” të tjera të këtilla në botën shqiptare, madje edhe në ditët e sotme.
Prandaj jemi këtu ku jemi dhe siç jemi, me demokraci të brishta, mungesë të shtetit ligjor dhe të progresit në shtetet shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, sidomos me mungesë lirie, progresi dhe zhvillimi në trojet shqiptare të mbetura në shtete dhe nën sundime të huaja.