Nëse kjo është fushatë për zgjedhje të kryetarit të shtetit, pse duhet të shndërrohet në fushatë të partive politike për rritjen e dominimit të tyre ndër shqiptarët në Maqedoninë Veriore?!
Deri më sot, pushteti në Maqedoni është dëshmuar më represiv ndaj shqiptarëve dhe restriktiv ndaj të drejtave të tyre kombëtare edhe se ish regjimi diktatorial i Millosheviqit në Serbi, prandaj, arsyetohet futja në garë edhe e kandidatëve shqiptarë për krytetar shteti, por jo edhe mashtrimi i vetvetes se ky pushtet ka ndryshuar sa duhet në qasjen e tij ndaj shqiptarëve.
As edhe një kandidat i profilit të Sejdo Bajramoviçit si në ish Jugosllavi nuk do të ketë gjasa të zgjedhet kryetar shteti i Maqedonisë Veriore, përderisa institucionet e pushtetit, mediat dhe fryma e bashkëjetesës në këtë shtet të përbashkët, nga shumica e qytetarëve joshqiptarë në këtë shtet ende shikohet me optikë shoviniste, si rrezik për shtetin, qenien dhe identitetin e popullit maqedonas dhe të tjerëve.
Duhet edhe shumë punë në të ardhmen për t’i tejkaluar këto dallime, pa harruar se vullneti i mirë dhe respekti i njëanshëm nuk mund të funksionojë asnjëherë dhe askund, nëse ato nuk janë të ndërsjellë!
(10 mars 2019)