Karteli i rrjetit të marketeve në krye me Lidhjen e Odave Ekonomike pritet të gjobitet me dhjetëra miliona euro. Pas kontrollit të paparalajmëruar që bëri Komisioni për mbrojtje nga konkurrenca në marketet Vero, Tineks, Kam dhe Reptil, konstatoi se është shkelur Neni 7 i Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, i cili ndalon kartelet dhe ujditë e bashkërenduara të ndërmarrjeve, me qëllim të deformimit të konkurrencës. Qytetarët shprehen të indinjuar se janë vjedhur nga këto markete, duke mbajtur çmimet e larta.Ekspertët e ekonomisë e shohin si mjaft të dëmshme organizimin e karteleve, përveç konsumatorëve final ashtu edhe për ekonominë e vendit. Profesori Universitar Gadaf Rexhepi tha se trukimi i çmimeve duke krijuar kartel paraqet një rrezik shumë më të lartë se monopoli në treg.
“Kur bëhet fjalë për kartel, për produktet ushqimore bazike ku preken pjesa më e madhe e qytetarëve, pothuajse të gjithë banorët absolutisht kjo mund të jetë shumë e dëmshme sepse në Maqedoni një pjesë e madhe e buxhetit të qytetarëve harxhohet për produktet ushqimore. Edhe inflacioni është individual në kuptimin që në disa familje që kanë të hyra shumë të larta inflacionin mund ta ketë shumë të ulët sepse pjesa që shfrytëzohen për produkt ushqimore është e vogël. Ndërsa shumica tek ne janë të orientuar në produkte ushqimore, 20% e popullsisë i shfrytëzojnë 80% të hyrave të tyre për blerje të ushqimeve”, tha Gadaf Rexhepi – profesor universitar.Sipas Nenit 59 të të njëjtit ligj parashikohen gjoba me 10% të vlerës së totalit të të ardhurave vjetore.
Për ta bërë më të qartë se për çfarë shumash bëhet fjalë, nëse merren parasysh të ardhurat nga viti 2023, dhe jo nga viti 2024, pasi ende nuk ka llogari përfundimtare zyrtare, gjobat do të ishin miliona.
Sipas përllogaritjeve nëse Komisioni vendos të gjobisë këto katër markete, VERO do të duhet të paguajë një gjobë prej 10.26 milionë euro, KAM 26.88 milionë euro dhe Tinex 9.83 milionë euro.
“Subjektet e kontrolluara, në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, kanë marrë vendim të ndaluar, gjegjësisht janë pajtuar që të veprojnë bashkë dhe të mos blejnë mallra nga furnitorët të cilët do të paraqesin çmimore të reja për produktet e tyre, për të cilat është iniciuar procedurë kundërvajtëse”, thonë nga Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës.
Komisioni ka konstatuar se Lidhja e odave ekonomike është pjesëmarrës në marrëveshjen e ndaluar. Sipas konkluzionit, persona nga Oda e kanë gënjyer Komisionin dhe i kanë fshehur këto informacione. Komisioni paralajmëron që do të marrë masat dhe sanksionet më rigoroze për çdo deformim të konkurrencës në treg dhe nuk do të lejojë asnjë anashkalim të ligjeve në dëm të qytetarëve