Zhvillimet e fundit me degën e Alternativës në Tetovë ka ngritur dyshimin nëse partia e Afrim Gashit do të humb edhe deputetin Hysni Ismaili, i cili i doli në krah kryetarit të Degës së Tetovës Dritan Bexheti, të cilin partia e ka shkarkuar. Ismaili thotë se arsyetimet që ishin dhënë në vendimin për shkarkimin e Bexhetit ishin të paarsyeshme dhe shumë të dobëta.
“Unë edhe më herët thash se aty ceket ndër pikat tjera se ai ja paska bllokuar organet e partisë së Degës së Tetovës, se ka bërë mallverzime, se e ka njollosur prestigjin e partisë ashtu që mendoj se të gjitha këto janë të pabaza dhe të pavërteta.”- deklaroi Hysni Ismaili, deputet i AAA-së.
I pyetur se a mendon që të ndërmarrë veprime të tjera, si largimin nga Alternativa, nëse kryetari partisë refuzon që Bexheti të jetë kryetra dege, Ismaili thotë se është debat bendapartiak.
“Këtë nuk e do e kisha quajtur betejë por diskutim brendapartiak që ne ende tani e bisedojmë për shkaqet dhe rrethanat që na sollën deri në këtë gjendje”- tha Hysni Ismaili, deputet i AAA-së.
Më 7 gusht në Tetovë u mbajt një mbledhje e disa anëtarëve të degës së Alternativës në Tetovë, ku dukej edhe deputeti Hysni Ismaili, e ku më pas u kumtua se me shumicë votash sërish e kanë zgjedhur Dritan Bexhetin si kryetar dege, madje duke theksuar se Kryetarin e Degës së Tetovës e emëron dhe e shkarkon Kuvendi i Degës së Tetovës dhe se “lufta demokratike do të vazhdojë brenda partisë Alternativa për të mirën e partisë”.
Të nesërmen e kësaj mbledhjeje, në faqen zyrtare të Alternativës në Facebook, në një postim që mban emrin e nënkryetarit të degës Tetovë dhe disa të tjerëve, u tha se më 7 gusht nuk ka pasur kurrfarë mbledhje të Degës së Alternativës në Tetovë dhe se ai takim ka qenë jolegjitim, jolegal, jostatutar dhe pa asnjë vlerë formale e organizative.
“Është e patolerueshme që takimet që nuk ftohen konform procedurave dhe në të cilat marrin pjesë familjarë, shokë e fqinjë të quhen takime të organeve partiake. Për informacion të opinionit, ish kryetari i degës së Alternativës në Tetovë ka ftuar mbledhje në mënyrë jostatutare, sepse ai me vendim të Kryesisë Qendrore (të datës 26.07.2023) nuk është më anëtar i Alternativës, ndërsa thirrje për mbledhje ka bërë edhe deputeti i zonës, i cili nuk ka asnjë kompetencë statutare për organizimin e brendshëm të degëve.”- pohuan nga Alternativa.
Kjo situatë ka bërë që Forumi i Gruas i Alternativës në Tetovë të ngrijë aktivitetin e tyre dhe kumtuan se “e mbështesin dhe japim përkrahje Dritan Bexhetit”, ndërsa shtojnë se “është e papranueshme sjellja autoritare e organeve të partisë për të fyer dhe për të mos njohur vendimet e mbledhjes së kuvendit të degës si organ vendimmarrës dhe legjitim konform statutit partiak.”
Javë me parë përmes një konferencë për media në Tetovë, 1/3-ta e Kuvendit Qendror i Alternativës kërkoi që kryetari Afrim Gashi të shkarkojë Bekim Salin edhe Zeqirja Ibrahimin, duke i akuzuar për moskryerje obligimi në parti dhe të padenjë për postet që mbajnë.