Takim konsultues nesër do të mbajë Grupi punues, i formuar me vendim të Qeverisë, në të cilin do të bisedohet për ligjin për pension minimal.
Siç paralajmëroi dje ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në takimin e parë konsultues të Grupit punues do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante, ndërsa do të bisedohet për gjithçka që nevojitet të përmirlsohet standardi jetësor i pensionistëve.
“Pas shembullit të Ligjit për pagë minimale në vend me ligj do ta vërtetojmë edhe pensionin minimal”, tha dje Trençevska.
Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, tha dje se problemet me pensionet lindën kur qeveria aktuale hoqi sistemin e mëparshëm, me të cilin rritej pensioni dy herë në vit – sipas rritjes së shpenzimeve të jetesës dhe sipas rritjes së pagës mesatare.
Sipas tij, pensionistët janë të pakënaqur sepse çmimet po rriten dhe inflacioni është i madh.
Vendimi për formimin e Grupit punues për hartimin e ligjit për pensionet minimale është marrë muajin e kaluar pas një sërë protestash të pensionistëve në mbarë vendin, të cilët kërkuan rritje lineare të pensioneve nga 3.500 denarë nga shtatori i këtij viti, si dhe pensioni minimal të jetë 18.000 denarë.