9.6 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaA ishte Rusia pas videos së rreme për zgjedhjet në SHBA? Ja...

A ishte Rusia pas videos së rreme për zgjedhjet në SHBA? Ja si përgjigjet Moska zyrtare

Moska ka mohuar të shtunën të ketë qenë mbrapa videos së rreme për zgjedhjet amerikane, pasi inteligjenca amerikane ka thënë se Rusia qëndron mbrapa një videoje të tillë, në të cilën shfaqet një imigrant prej Haitit, duke thënë se ka votuar disa herë.

Tri agjenci amerikane të inteligjencës kanë thënë të premten se “aktorë të ndikimit rus”, kanë krijuar një video, në kuadër të “përpjekjeve të gjera të Moskës për të krijuar pikëpyetje për integritetin e zgjedhjeve amerikane”.

Në deklaratën e këtyre agjencive është thënë se aktorët rusë qëndrojnë mbrapa videos së rreme.

“E kemi vërejtur deklaratën e shërbimeve amerikane të inteligjencës, me akuza për vendin tonë për krijim të videove të fabrikuara për shkeljet zgjedhore në Shtetet e Bashkuara. I shohim si të pabazuara këto akuza”, ka thënë Ambasada ruse në Shtetet e Bashkuara, përmes një postimi në Telegram.

Në klipin 20-sekondësh shihet një burrë me një të folur robotike duke thënë se “ne jemi prej Haitit. Kemi ardhur në Amerikë gjashtë muaj më parë, ne tashmë kemi shtetësi amerikane dhe jemi duke votuar për Kamala Harrisin”.

Sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, zyrtar i lartë në këtë shtet të luhatshëm për preferencën zgjedhore, ka thënë të premten se kjo video është shembull i “dezinformës me shënjestër”.

Raffensperger ka thënë se kjo video “qartësisht e rreme”, me shumë mundësi është prodhuar prej “fabrikës ruse të lajmeve të rreme”.

Ambaada ruse, në anën tjetër, ka thënë se Rusia nuk ka siguruar asnjë dëshmi për t’i bazuar pretendimet e zyrtarëve amerikanë.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 5 nëntor.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, është kandidate e demokratëve për presidente, ndërsa ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është kandidat i republikanëve.

Gara mes tyre raportohet të jetë e ngushtë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments