Prej dy javësh Drejtoria e Transporteve ka nisur verifikimin me mjete inteligjente për automjetet që paraqiten në kolaudim me qëllim kontrollin e historikut të kilometrave. Sipas të dhënave, mësohet se deri më tani 240 mjete nuk e kanë kaluar testin e kontrollit teknik, për shkak të ndërhyrjeve në odometër.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Tv Klan, gazetarja Erikleda Dorezi raporton nga pika e kontrollit Tirana 2 çfarë po ndodh me situatën.
Duhet thënë se nga një total i automjeteve të cilat kanë qenë për një kontroll teknik, rreth 2500, afro 240 automjete kanë rezultuar me probleme ose fshehje të kilometrazhit. Të gjitha këto automjete kanë ndërhyrje në odometër, është një shërbim i ri i cili prej 2 javësh ka filluar edhe në pikat e kontrollit në Shqipëri, fillimisht në Tiranë për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin. Duhet thënë se është një shërbim që ofrohet falas, dhe tashmë vendoset në certifikatën e kolaudimit në të gjitha automjetet që i nënshtrohen kontrollit teknik”.
Më tej, gazetarja sqaron edhe efektin që ka kjo në marrjen e certifikatës së kolaudimit. Ndërkohë, risia e cila ka vetëm dy javë që zbatohet në vend, do të pasohet edhe nga një shërbim tjetër.
“Në momentin kur rezulton që ka ndërhyrje në odometër, fshehje të kilometrazhit, ulje të tyre atëherë automjeti nuk pajiset me certifikatën e kolaudimit, por automjeti kthehet për të ndërhyrë dhe rikthyer kilometrat e saktë në të cilat ka automjeti. Vetëm në atë moment vjen sërish në pikën e kolaudimit, i nënshtrohet kontrollit teknik dhe më pas pajiset me certifikatë kolaudimi. Kjo risi që ka vetëm dy javë që ka filluar në të gjithë Shqipërinë do të pasohet me një tjetër risi. Të gjithë ata drejtues automjetesh që duan të verifikojnë kilometrat e automjeteve tashmë mund ta kryejnë atë edhe online, pa pagesë. Ky shërbim do bëhet i aksesueshëm për të gjithë në vitin 2023”.
Aktualisht në certifikatën e kolaudimit, përveç kilometrave në të cilat ka automjeti në momentin që i nënshtrohet kontrollit teknik, regjistrohet dhe shënohet historiku i tij që prej statusit fillestar./tvklan.al