Prej ditës së djeshme, në Maqedoninë e Veriut në shumicën e furrave është vërejtur përsëri shtrenjtim i bukës. Ndonëse periudhën e fundit çmimi i vajit dhe miellit nuk ka pësuar rritje, ngelet e paqartë se çfarë i detyroi furrat të rritin çmimet e bukës.
Periudhën e fundit çmimi i një buke nëpër furra ishte 35 denarë ndërsa prej sot, ato janë shtrenjtuar për 5 denarë, dhe tani shiten për 40 denarë. Ndonëse periudhën që lëmë pas në RMV është vërejtur ulje e çmimit të vajit nga 153 në 133 denarë (Briliant), si dhe mielli nga 900 në 810 denarë për 25kg, kjo nuk ka bindur furraxhinjtë të ulin çmimet e bukës por përkundrazi po i shtrenjtojnë.
Disa nga pronarët e furrave këtë shtrenjtim e arsyetojnë përshkak mungesës së punëtorëve dhe kërkesave të tyre për paga shumë të larta, andaj ata duhet t’i mbulojnë edhe pagat e punëtorëve.
Nga ana tjetër rol mund të luajë gjithashtu edhe shtrenjtimi i rrymës elektrike, sepse sipas ligjit të ri, ata që harxhojnë më tepër rrymë do të paguajnë më shtrenjtë. E ne të gjithë e dimë se furrat përdorin rrymën elektrike për pjekjen e bukës.Ndryshe në RMV dhe më gjerë po paralajmërohet një dimër i vështirë dhe kjo gjithsesi ngjallë frikë te qytetarët.