Ballkani hedh një hap të rëndësishëm drejt historisë, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 1-2 me përmbysje ndaj Shkupit në “Tose Proeski” dhe tani e sheh veten më pranë kalimit në grupet e Conference League, verdikt që do të jepet vetëm të enjten e ardhshme në Prishtinë.
Nën një atmosferë mjaft miqësore mes dy skuadrave shqiptare, ishin vendasit e Shkupit ata që e nisën vrullshëm dhe krijuan disa mundësi, teksa pas kaur goditjesh nga këndi në harkun e pak minutave, zhbllokuan sfidën me anë të Adetunjit në minutën e 17’.
Megjithatë mbrojtja nuk është një nga pikat më të forta të skuadrës nga Çairi dhe kjo u konfirmua edhe mbrëmjen e sotme, kur pas një kundërsulmi, Rrahmani u la i lirë në shtyllën e parë dhe ia doli të rikthejë baraspeshën.
Shkupi kërkoi golin e avantazhit, por hasi disa herë në formën e mrekullueshme të portierit Ljuljanovic, ndërsa nga ana tjetër Ballkani i Ilir Dajës ishte vendosur mirë dhe kujdesej të mos pësojë e të kapë kundërshtarin në kundërsulm
Pikërisht në një zbritje tjetër në të 67-ën, Meriton Korenica lëshoi një goditje fantastike nga distanca dhe dërgoi topin në trekëndësh, duke i dhënë avantazhin Ballkanit dhe ndezur festën mes “xhebrailëve” të pranishëm në stadium.
Reaguan edhe njëherë vendasit, që goditën traversën me Da Sivlën, ndërsa më pas shënuan me Adetunjin, i cili ishte pak centimetra më i avancuar dhe goli u anulua. Në shtesë ishte sulmuesi Cephas që pati një rast të artë shënimi, por shpërdoroi, duke bërë që sfida të mbyllej me rezultatin 1-2.
Ballkani e sheh tashmë veten më pranë kalimit në fazën e grupeve, pasi do t’i duhet të menaxhojë në Prishtinë një avantazh minimal, që gjithsesi i jep shpresë Shkupit të provojë përmbysjen e madhe.
Shkupi-Ballkani 1-2 (Adetunji 19’/ Rrahmani 23′, Korenica 67′)
minuta e 67 Goooool. Ballkani gjen golin e avantazhit me anë të Meriton Korenicës, që lëshon një goditje spektakolare nga distanca dhe dërgon topin në rrjetë. Asgjë për të bërë për portierin Naumovski, ndërsa Ballkani përmbys disavantazhin fillestar dhe merr epërsinë në Shkup.