Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë stërvitje të reja ushtarake me ushtrinë e Maqedonisë së Veriut. Ky njoftim është bërë i ditur, teksa ushtria maqedonase shënon 30-vjetorin e themelimit. Sipas njohësve të çështjeve politike dhe ushtarake, ky hap flet qartë për përkushtimin e Uashingtonit për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Përndimor.Në një ndryshim në Ligjin e mbrojtjes kombëtare, Kongresi amerikan i kërkoi Pentagonit të propozojë më shumë stërvitje ushtarake me Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm, sipas Projektligjit për buxhetin e mbrojtjes për vitin e ardhshëm fiskal. Me këtë ligj federal, SHBA-ja përcakton buxhetin dhe shpenzimet vjetore të Pentagonit dhe këtë vit për herë të parë në të është përfshirë edhe Maqedonia e Veriut.Komiteti mbështet fuqishëm rolin e Maqedonisë së Veriut si aleate e NATO-s dhe thekson vlerën e stërvitjes ushtarake ‘Reagimi i Shpejtë 22’ të NATO-s në Maqedoninë e Veriut për ndërveprimin e NATO-s, integrimin rajonal dhe parandalimin kundër agresionit rus”, thuhet në projektligj. Në të thuhet se “është me rëndësi thelbësore që Shtetet e Bashkuara dhe anëtaret tjera të NATO-s të vazhdojnë të kryejnë stërvitje të ngjashme me Maqedoninë e Veriut dhe të përpiqen për integrim të mëtejshëm”.Mesazhi që dërgon SHBA-ja është se ajo po fokusohet sërish te Maqedonia e Veriut dhe rajoni, pas një pauze disavjeçare në të cilën jo vetëm SHBA-ja, por edhe BE-ja u morën me problemet e tyre, thotë Metodi Haxhi-Janev, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Akademinë Ushtarake në Shkup.