Për shkak të valës së të nxehtit sot dhe nesër në vend, gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç janë të liruar nga detyrat e punës, fëmijët në kopshte nuk lejohen të bëjnë aktivitet fizik nga ora 11:00 deri në orën 17:00, Sektori privat duhet të organizojë orarin e punës në mënyrë që të mbrojë punëtorët nga ekspozimi i drejtpërdrejtë i diellit dhe rekomandohet të shmanget qëndrimi jashtë nga ora 11:00 deri në 17:00.
Këto rekomandime janë miratuar në seancën e djeshme të Qeverisë pasi DPHM ka njoftuar institucionet se sot dhe nesër territori i gjithë vendit do të preket nga temperaturat e larta – faza e portokalltë. Temperaturat do të jenë mbi 35 gradë Celsius në shumicën e vendeve, ndërsa mbi 40 gradë Celsius në zonat juglindore.