Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi takim me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fillim të vizitës së saj në Shkup, njoftojnë nga MPJ.
Në njoftimin e MPJ-së thuhet se Osmani theksoi se Komisioni Evropian ka qenë gjithmonë një partner i dëshmuar në rrugën eurointegruese të vendit, duke i analizuar në mënyrë strikte dhe objektive situatën dhe progresin e arritur të pasqyruar në Raportet e progresit të shtetit. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej me hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit përmes procesit të skriningut.
“Kjo vizitë vjen në kohën e duhur, gjatë rrumbullakimit të procesit të konsultimeve të gjëra për propozimin e presidencës franceze dhe fjalimin tuaj të sotëm në Kuvend e konsiderojmë si kontribut të rëndësishëm në këtë proces dhe mbështetje për vazhdimin e procesit tonë eurointegrues”, theksoi Osmani, duke kujtuar se për herë të dytë në historinë tonë, kryetari i Komisionit Evropian iu drejtua Kuvendit tonë. Herën e parë, Romano Prodi, në fillimet e rrugës sonë të integrimit evropian, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, dhe tani në fillimin e negociatave, si fazë përfundimtare përpara anëtarësimit tonë të plotë në BЕ