4.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaÇfarë tha saktësisht Sergey Lavrov për Ballkanin e Hapur?

Çfarë tha saktësisht Sergey Lavrov për Ballkanin e Hapur?

Deklarata mbështetëse për nismën “Ballkani i Hapur” nga ana e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, shkaktoi reagime te kundërshtarët e kësaj nisme se tashmë u bë e ditur se shteti rus është pro saj.

Pas anulimit të vizitës së tij të planifikuar për në Beograd meqë Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria s’ia lejuan shfrytëzimin e hapësirës ajrore, Lavrov në një konferencë për media foli më gjerësisht për rajonin.

Për herë të parë, kryediplomati rus shpalosi qëndrimin e shtetit të tij për iniciativën ballkanike ku bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, e që së fundi edhe Mali i Zi ndryshoi qëndrim.

Duke synuar të kritikojë Perëndimin, ai tha se po e shndërrojnë rajonin në “Ballkan të Mbyllur” meqë, sipas tij, vendet ballkanike nuk janë të lira të zgjedhin partnerët e tyre.

“NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në një projekt të tyre të quajtur “Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov duke iu referuar Ballkanit të Hapur.

Po ashtu, në këtë konferencë tha se vendet e NATO-s mbyllën hapësirën e tyre ajrore për të sepse “ata nuk duan që ne të shprehim mbështetjen tonë për iniciativën e Beogradit, ‘Open Balkan’”. 

Ndonëse e konsideruan shqetësuese që Rusia e mbështet një iniciativë të tillë ku pjesëmarrëse janë shtetet që e synojnë anëtarësimin e BE-së, disa analistë edhe iu gëzuan kësaj deklarate.

Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, tha se Lavrov i dha “puthjen e vdekjes” projektit, duke aluduar se një deklaratë e tillë nga Kremlini duhet të çojë në dështimin e tij.

“Sikurse duhet falënderuar Putinin që i injektoi jetë NATO-s, lavdërime edhe për Sergey Lavrov që i dha puthjen e vdekjes Ballkanit të Hapur. Kjo ide e administratës së Trump avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën Aleksandar Vuçiqin”, ka shkruar Joseph sot në Twitter.

Derisa njohësi tjetër i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, duke shpërndarë një pjesë nga konferenca e Lavrovit, tha se Ballkani i Hapur është një mjet i Kremlinit për një qëllim të caktuar dhe rekomandoi që të hiqet dorë nga kjo nismë.

“Kremlini e sheh “Ballkanin e Hapur” si një mjet të dobishëm për përmbysjen dhe ndarjen e Evropës. Qeveritë properëndimore duhet të braktisin skemën dhe të mos ndjekin agjendën Moskë-Beograd”, ka shkuar Bugajski.

Në nervozë e sipër meqë s’u lejua të vizitonte shtetin mik të Rusisë, Lavrov u hodh në kritikë të Perëndimit në mbrojtje të politikës së jashtme të Serbisë.

“Diçka e paprecedentë ndodhi. Një shtet sovran u privua nga e drejta për të vendosur për politikë të jashtme. Aktivitetet ndërkombëtare të Serbisë, që lidhen me Rusinë, u bllokuan”, tha Lavrov.

Ndërkaq, Kremlini ndalesën e quajti një “lëvizje armiqësore” të Perëndimit kundrejt Rusisë, megjithëse Lavrov tha se nuk do të hakmerret dhe s’do të bënte asgjë “që mund të prishë marrëdhëniet midis njerëzve” të tri vendeve ballkanike me Rusinë.

Megjithatë, media ruse “RIA Novosti”, duke cituar burime diplomatike, tha se ka mundësi që ambasadorët e Bullgarisë dhe Malit të Zi të dëbohen nga Moska. Por, dëbimi i ambasadorëve nuk mund ta prekë Maqedoninë e Veriut, e cila nuk ka ambasador në Moskë meqë agresioni rus në Ukrainë suspendoi planet e saj për të dërguar ambasador atje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments