10.8 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAkademik Prof.Dr Abdulla Mehmeti / KËSHTU CENOHEN INTERESAT E SHTETIT NË EMËR...

Akademik Prof.Dr Abdulla Mehmeti / KËSHTU CENOHEN INTERESAT E SHTETIT NË EMËR TË INTERESAVE FETARE

Organet e pushtetit në Maqedoninë Veriore obligohen para qytetarëve të vendit të japin sqarime:

Cila është pasuria e përgjithshme, e luajtjshme dhe e paluajtshme, e Kishës Ortodokse Maqedonase – Patrikana e Ohrit, të cilën do ta ketë kjo kishë “në shfrytëzim” në të ardhmen, si “pronë e përhershme” e Kishës Ortodokse Serbe; dhe

Me cilat mekanizma ligjorë dhe kushtetues do ta mbrojë pushteti i këtij vendi nga kërcënimi i mundshëm i KOS dhe shteti i Serbisë në të ardhmen, për sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të shtetit të Maqedonisë Veriore, ku do të ketë pronë kishtare serbe, sipas marrëveshjes së fundit, 24 maj 2022?

1.

Kisha Ortodokse Serbe (KOS) me “dashamirësi vëllazërore” dhe me pëlqimin e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-PO), me dorëzim-pranimin e Tomosit* (marrëveshje zyrtare dhe dokumente për njohjen e kishave të pavarura ortodokse) mes këtyre dy kishave simotra, jo vetëm dhënie të pëlqimit siç kërkojnë rregullat kishtare në këtë rast, përpara dhe në vend të pranimit zyrtar sipas rregullave kanonike nga Patrikana Ikumenike e Kostandinisë (Stambollit), e cenon rëndë sovranitetin e shtetit dhe integritetin e territorial të Maqedonisë Veriore.

Patriarku serb Porfiri i ka dorëzuar një akt kreut të KOM-PO, Stefanit, me të cilin e konfirmon vendimin e KOS, i cili u shpall më 24 maj 2022, pas shërbesës së liturgjisë së përbashkët në Katedralen e Shkupit, me të cilën KOS miratoi e dha bekim për autoqefalinë e KOM – PO, duke u dhënë fund mosmarrëveshjes 55-vjeçarе mes dy kishave (1967-2022).

2.

Kisha Ortodokse Serbe (KOS) me një Tomos e miratoi autoqefalinë e plotë që i referohet vendit ku vepron Kisha Ortodokse Maqedonase – Patrikana e Ohrit (KOM-PO), por edhe në diasporë.

Dokumenti shpreh një rekomandim vëllazëror për KOM-in që çështjen e emrit të saj ta zgjidhë në dialog me kishën helene (greke) dhe kishat e tjera ortodokse fqinje, ndërsa të gjithë pasurinë e saj në territorin e Maqedonisë Veriore, KOS ia jep “në shfrytëzim” (jo në pronësi të përhershme) “kishës së re autoqefale”, që i referohet KOM-PO, pa ia përmendur emrin e saj.

“Tempujt dhe manastiret e shenjta, veçanërisht faltoret nga koha e Nemanjëve dhe periudha e mëvonshme e pranisë serbe, ndërtimi i kishave dhe krijimtaria kulturor në territorin e sotëm të Maqedonisë Veriore, si dhe pasuria totale e luajtshme dhe e paluajtshme e KOS-it, në kuadër të kufijtë e saj i janë dhënë në përdorim (shfrytëzim)” Kishës së re motër autoqefale”, thuhet në akt.

3.

Historiani serb Aleksandër Rakoviq tha për agjencinë e lajmeve Tanjug se “zgjidhja për kujdesin e përbashkët të KOS-it dhe KOM-it mbi shenjtorët serbe është një arritje e lartë e marrëdhënieve vëllazërore të dy hierarkive dhe të dy popujve”.

Rakoviq thekson faktin se, në Tomos parashikohet që të gjitha kishat dhe manastiret serbe që nga koha e Nemanjëve, në atë kohë dhe në kohën moderne, në territorin e Maqedonisë Veriore “janë dorëzuar në shfrytëzim” dhe nuk janë pronë e KOM-PO.

Kështu, shpjegon ai në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Tanjug, se këto faltore serbe, si dhe pronat e tjera të paluajtshme dhe të luajtshme kishtare e kulturore serbe, mbeten pjesë e Kishës Ortodokse Serbe”, raporton agjencia serbe e lajmeve.

4.

Të mos harrojmë se, njëra nga shkaqet e luftës aktuale në Ukrainë me ndërhyrjen ushtarake brutale të Rusisë, ka qenë edhe mosmarrëveshja mes dy kishave “simotra”, përkatësisht mosdurimi i krerëve të Kishës Ortodokse Ruse ndaj Kishës Autoqefase Ukrainase dhe shkëputjes së saj nga orbita e ndikimit kishtar të Moskës, pas njohjes nga Patrikana Ikumenike e Konstandinisë, përkatësisht ndarjen e Kishës Ortodokse Ukrainase në dy pjesë, në atë proruse dhe atë ukrainase të pavarur e autoqefale.

Çfarë interesa kombëtare të përbashkëta mund të kenë qytetarët sllavë të Maqedonisë me sivëllezërit e tyre në Serbi, që janë të ndryshme nga ato më të hershme, mes sllavëve të Ukrainës dhe atyre të Rusisë, përkatësisht, cila është vëllazëria ortodokse më e fiqishme, e cila mund t’i lidhë besimtarët e fesë ortodokse të Maqedonisë Veriore me ata të Serbisë, e që mund të jetë më e fuqishme se dikur që ishte ajo lidhje fetare e rrejshme mes banorëve të Ukrainës dhe të Federatës Ruse, të cilët sot shikohen përmes tytave të automatikëve e të topave?

Mësimi nga e kaluara: Interesat fetare gati asnjëherë nuk përputhen me interesat kombëtare dhe shtetërore, kur bëhet fjalë për popujt dhe vendet ballkanike.

(6 qershor 2022)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments