Në prag të manifestimeve të paralajmëruara për 20 vjetorin e partisë, nga BDI-ja nuk përgjigjen sa para do tu kushtojnë aktivitetet për këtë përvjetor dhe se kush do t’i paguaj shpenzimet.
Në rrjetet sociale qarkullojnë informacione jozyrtare se këngëtarët e angazhuar do të marrin honorarë nga 4 mijë deri në 8 mijë euro ndërsa të dy koncertet e paralajmëruara për më tre dhe katër Qershor flitet se BDI-së do i kushtojnë rreth 100 mijë euro.
Alsat dërgoi pyetje konkrete në pranë selisë së BDI-së dhe sekretarit organizativ, por akoma nuk ka marrë përgjigje mbi pyetjet e ngritura.
Qytetarët nga ana tjetër shprehen të revoltuar se organizime të tillë të shtrenjta në këtë kohë krize janë provokim për ta.
“Ne për çdo dit kemi raste të funksionarëve që jetojnë në një realitet të Markezit, realitet të paqenë, edhe ky kremtim tre ditë që zgjat është vetëm vazhdimësi e mënyrës së çdo ditshme të azdisur të sjelljes së politikanëve me paratë tona…. Në komunat tona kemi mungesë drastike të higjienës, shportave që kushtojnë pak por prapë mungojnë, parqe më tepër. E kanë agjendën e gjelbër, por nuk e shohim e shohim vetëm se kanë mbetur jeshil, agjenda e gjelbër askundi”, thotë një qytetar.
“Me ata para duhej t’ia japin popullit të jetojë më mirë sepse në këtë krizë nuk ka jetë”, u shpreh një qytetar tjetër.
“BDI e ka humbur Qyranin, e ka humbur guskën në oborr të vetin, tash me mitingje mundohet të fitojë diçka…Fukarallëk i madh, ne nuk mund t’ia çesim ne me dy tre pujnë nuk mund t’ia pësim, Vallahi Bilahi marrim hua prej dikujt që është më i fortë. As dru nuk kemi marrë, rrymën nuk mund ta paguajmë hiç, një muaj e paguajmë një na ndalojnë. Mielli të bëhet 1 200 denarë një thes, vaji 3 euro, kjo është katastrofë e madhe”, theksoi një qytetar.
“Nuk është për ta përshëndetur… Duke parë hallet në mesin e qytetarëve mendoj që nuk bën”, tha një tjetër qytetar.
Qytetarët po ashtu thonë se përveç krizës dhe problemeve të mëdha ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët, mungojnë edhe shumë premtime të cilat BDI i ka bërë me dekada, por nuk i ka realizuar të tilla si zbatimi i plotë i gjuhës shqipe, mungesa e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione, mos ndërtimi i autostradave Shkup-Bllacë, ajo Kërçovë-Ohër dhe shumë premtime të tjera, përfshirë edhe agjendën e gjelbër e të tjera.
Ndërsa BDI-ja shpërndanë video me opinione për aktivitetin e saj politik në 20 vitet e fundit, mbetet e paqartë nëse ato janë përgatitur nga qendra për marrëdhënie publike e BDI-së apo nëse janë prodhuar në institucioni i zëvendëskryeministrit.
Alsat do të kërkoj faturat dhe autorësinë e materialeve për transparencë të publikut./ Alsat.mk