Heshtje në BDI lidhur me publikimin e përgjimeve të kreut të BDI-së Ali Ahmeti me bashkë partiakët Musa Xhaferin, Blerim Bexhetin, Beqir Asanin etj. Integristët kanë marr vendim që për këtë çështje, të drejtën e prononcimit para opinionit ta kenë zëdhënësi Bujar Osmani dhe deputeti Artan Grubi. Që të dy sot ishin të pakapshëm për arsye të vizitave jashtë vendit. As kreu i BDI-së, Ali Ahmeti nuk u paraqit në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend. Nga ana tjetër organet hetuese kanë zbuluar autorin i cili publikon në rrjetet sociale përgjimet e krerëve të BDI-së. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski konfirmoi se policia në bashkëpunim me Prokurorinë Publike është duke punuar në zbardhjen e plotë të rastit.
Është detektuar personi i cili i publikon. Në bazë të procedurave në Prokurori Publike dhe konventave ndërkombëtarë për ndihmë juridike, si dhe bashkëpunimit policor ndërkombëtarë, të vijmë deri tek sigurimi i tij”. – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm
Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se nuk është i njoftuar për përgjime në rrjete sociale. Sipas Zaev, organet duhet ta hetojnë situatën me qëllim që të mos vije deri tek keqpërdorimi i privatësisë. I pyetur nëse përgjimet rrezikojnë marrëdhëniet mes LSDM-së dhe BDI-së, Zaev shtoi se përgjimet janë vetëm indikacione për të cilët nuk mund të konstatohet asgjë derisa nuk vërtetohen në rrugë ligjore veprat e mundshme penale. I pari i qeverisë nuk e di nëse përgjimet janë pjesë e materialeve që i ka poseduar opozita, pasi sipas tij, nga sasia e përgjimeve të marra nga DSK-ja, Zaev atëherë ka poseduar vetëm 1/3 e tyre. Publikimi i përgjimeve erdhi pak ditë pasi profile në rrjetet sociale paralajmëruan se grupi i Kumanovës nga burgu do ta bëj publikimin e tyre si presion për zhvillimin e hetimit ndërkombëtarë për rastin Lagja e Trimave.
Adrian Kerimi