Inspektorët e DAP-it kanë përfunduar kontrollin në tregje dhe në disa prej tyre kanë konstatuar se bëjnë llogaritjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore që janë të liruara nga taksa.
Konkretisht për marketet KAM, nga DAP-i thonë se në këtë zinxhir tregjesh kanë përfunduar kontrollet dhe nuk janë mbyllur.
- Me kontrollin fillestar dhe paraprak në terren, inspektorët konstatuan se një pjesë e objekteve të shitjes me pakicë jo vetëm në tregun e sipërpërmendur, por edhe në disa tregje të tjera të zinxhirëve të mëdhenj, i është llogaritur TVSH 5% për produktet ushqimore bazë. Një pjesë e marketeve shisnin vaj për gatim, mish viçi të freskët, oriz dhe qumësht me tatim të llogaritur mbi vlerën e shtuar, gjë që është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë dhe ndryshimet në Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, thonë nga DAP-i.
Shumë qytetarë u ankuan se tregjet vazhdojnë t’u shesin bukë, qumësht, vaj, mish dhe produkte të tjera bazë me çmime që përfshijnë TVSH-në. Nga DAP-i thonë se pas të gjitha denoncimeve të qytetarëve, inspektorët e tyre dalin në terren.
Pas futjes së masave të reja kundër krizës, pra heqjes së TVSH-së për ushqimet bazë dhe kufizimit të marzhit tregtar, DAP-i ka kryer mbi 600 kontrolle, si dhe ka gjobitur disa nga tregtarët që manipulonin TVSH-në. Për shkak të mosrespektimit të masave, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka vendosur gjoba të rënda për disa tregtarë në të gjithë vendin.