Evropa dhe Gjermania po rrezikohen gjithnjë e më shumë nga pakësimi i ujit. Sidomos niveli i ujërave nëntokësore po bie në mënyrë shqetësuese. Për të luftuar problemin nevojiten masa adekuate dhe një riorientim. Dy të tretat e planetit blu janë të mbuluara nga uji, por më pak se tre përqind e ujit është i pijshëm. Përveç kësaj ai është i shpërndarë në mënyrë shumë të pabarabartë. Sidomos në shumë zona të Afrikës, Lindjes së Mesme, Amerikës Latine dhe Azisë ka mungesë dramatike të ujit. Edhe Evropa po ndjen gjithnjë e më shumë rritjen e mungesës e ujit. Në shumë vende evropiane vitet e fundit ka rënë shumë pak shi, temperaturat janë rritur ndjeshëm dhe verat po bëhen gjithnjë e më të nxehta. Si pasojë mungesa e ujit dhe thatësirat po kërcënojnë pjesë të mëdha të Evropës. Sipas Copernicus Climate Change Service periudha e thatë do të vazhdojë të përhapet nga Evropa Lindore në të gjithë kontinentin, jo dikur në të ardhmen e largët, por tani.
Humbje e frikshme e ujit edhe në Gjermani
Gjermania, e cila tradicionalisht është e pasur me ujë, po thahet gjithnjë e më shumë. Këtë e tregojnë të dhënat aktuale nga satelitët Grace, të cilat Jay Famiglietti, Drejtor i Global Institute for Water Security në Universitetin e Saskatoon, Kanada, i ka shqyrtuar me porosi të NASA-s dhe Qendrës Gjermane të Hapësirës Ajrore. “Humbja e ujit në Gjermani është rreth 2.5 gigaton ose kilometra kub në vit. Kjo e bën atë një nga rajonet me humbjet më të larta të ujit në botë,” thotë Famiglietti. Meqenëse uji në vetëdijen e gjermanëve ka qenë gjithmonë i mjaftueshëm, Famiglietti e ilustron humbjen e madhe të ujit me liqenin më të madh gjerman (me të cilin kufizohen edhe Austria dhe Zvicra): “Thënë me gjuhë të thjeshtë: për 20 vjet Gjermania ka humbur ujë në sasinë e Liqenit të Konstancës. Është jashtëzakonisht shumë ujë”.
Grafiku mbi shpenzimin e ujit për kokë në Gjermani
Vetëm ditët e shirave nuk mjaftojnë
Ulja drastike e ujit në Gjermani nuk reflektohet vetëm në rënien e niveleve të përrenjve dhe lumenjve. Ajo bëhet e dallueshme dhe nga pakësimi i lagështisë së tokës, që ka rëndësi sidomos për bujqësinë dhe pyjet. Sigurisht, lagështia e tokës ndryshon shumë në varësi të faktit, nëse ka rënë vazhdimisht shi apo ka qenë një periudhë e gjatë thatësie. “Por kush mendon se disa ditë me shi të dendur do ta rregullojnë gjendjen, e ka gabim: Edhe nëse për një kohë të gjatë bie shi i madh, gjithnjë e më pak ujë arrin në rezervuarët e ujërave nëntokësorë”. Sepse duhen shumë muaj, që uji i shiut të hyjë nga sipërfaqja e tokës përmes shtresave të ndryshme të tokës dhe shkëmbinjve, dhe që damarët nëntokësorë ujorë të jenë mbushur sërish pas një periudhe të gjatë thatësie.
Graviteti i tokës jep shpjegim
Gjendja e rezervuarëve të ujërave nëntokësore matet nga satelitët GRACE-FO (Gravity Recovery and Climate Experiment Follow On), të cilët masin prej 20 vjetësh luhatjet e gravitetit të tokës, që ndryshon nga përmbajtja e ndryshme e ujit. Ndërsa malet dhe fundi i detit ndryshojnë fare pak, zhvendosja e sasive të mëdha të ujit përmes avullimit, reshjeve, apo rrjedhjes në det ofron të dhëna të dobishme, që studiuesit mund t’i krahasojnë më pas me rezultatet e matjeve të mëparshme nga misioni GRACE dhe me të dhënat e stacioneve tokësore. “Vlerësimi i të dhënave tregon tendencën negative”, thotë Jay Famiglietti nga Global Institute for Water Security.
Përgjegjës për rritjen e mungesës së ujit, nuk është vetëm ndryshimi i klimës. Sigurisht që rritja e temperaturave shkakton rritjen e avullimit. Edhe përdorimi i pakujdesshëm i ujit në shumë vende do të shtojë mungesën e tij. Sepse edhe pse uji po bëhet gjithnjë e më i pakët, konsumi prej vitesh po shtohet. Nga njëra anë në familjet private e mbi të gjitha në industri dhe në bujqësinë intensive. Sidomos në verërat shumë të thata të viteve të fundit bujqësia ka ujitur gjithnjë e më shpesh, meqë bimët në fusha po thaheshin. Në disa rajone kjo ka shkaktuar vështirësi të konsiderueshme me furnizimin me ujë.
Masat e nevojshme
Ne mund t`i kundërvihemi mungesës së ujit, për shembull, përmes kulturave bimore më ekonomike, konsumit më të vetëdijshëm apo menaxhimit efektiv të ujit.
Gjermania, e cila tradicionalisht është e pasur me ujë, po thahet gjithnjë e më shumë
Ka shumë ide dhe zgjidhje. Për shembull, toka nuk duhet të “mbyllet e vuloset” kudo, ashtu si ndodh në shumë qytete: uji duhet të jetë në gjendje të depërtojë, në mënyrë që niveli i ujërave nëntokësore të rikuperohet. Bujqësia mund të ujitë në mënyrë më selektive dhe të ndotë më pak ujin me plehra. Përrenjtë dhe lumenjtë, të cilët janë drejtuar, mund të natyralizohen përsëri, në mënyrë që uji të mos kullojë shumë shpejt, por të mund të depërtojë gradualisht poshtë. Ujërat e zeza ose uji i kripur mund të përpunohen në ujë të përdorshëm. Për të gjitha këto opsione në luftën kundër mungesës së ujit ekspertët do të diskutojnë nga data 21-26 mars 2022 në Forumin e 9-të Botëror të Ujit. Ai zhvillohet në Dakar, kryeqyteti i Senegalit, dhe kështu për herë të parë në Afrikën Perëndimore. Në një zonë ku njerëzit ndjejnë prej kohësh pasojat dramatike të mungesës së ujit./DW